Përveç Venecisë, shqipen mund ta zvarrisin edhe 10 grupet parlamentare të VMRO-së

Zejnulla VESELI

Shkup, 12 korrik – Ligji për gjuhën shqipe në procedurë parlamentare do të futet shumë shpejtë dhe paralelisht derisa diskutohet për ligjin, do të merret edhe mendimi i Komisionit të Venecias. Kështu shprehet zëvendëskryeministri për Çështje evropiane, Bujar Osmani, shkruan gazeta KOHA. “Draft ligji për gjuhën shqipe është plotësisht i harmonizuar me partnerët e koalicionit qeveritar dhe ekziston disponim që ky ligj së shpejti të miratohet nga Qeveria dhe t’i dorëzohet Parlamentit të Maqedonisë për shqyrtim dhe miratim. Miratimi i ligjit do të varet nga procedura parlamentare si miratohen ligjet”, thekson Osmani . Ai më tej sqaron se dërgimi i Ligjit në Komisionin e Venecisë është rekomandim i eurokomesarit Johanes Han, më qëllim që ky ligj në të ardhmen të mos mund të kontestohet para Gjykatës Kushtetuese. “Derisa Ligji do të jetë në procedurë parlamentare, paralelisht do të kemi edhe mendimit e Komisionit të Venecisë”, thekson Osmani. Edhe koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së, Ejup Alimi, thotë se propozim-ligji për gjuhën shqipe në çdo moment mund të futet në rend dite në seancë plenare të Parlamentit dhe për këtë mjafton një deputet i shumicës parlamentare ose deputet i opozitës t’i propozojë kryetarit të Parlamentit, Talat Xhaferi, që ligji për gjuhën shqipe me procedurë të shkurtër të futet në rend të ditës për shqyrtim. “Mjafton që një deputetë i cilës do partie të kërkojë nga kryeparlamentari që me procedurë të shkurtër, ligji të futet në rend dite dhe nëse ky propozim mbështet nga 61 deputetë, mund të fillohet diskutimi rreth ligjit. Mirëpo, kjo mënyrë e futjes ligjit në rend dite mund të pengohet nga deputetët e opozitës, sepse atyre ju mundësohet të dorëzojnë amendamente dhe të pengojnë miratimin e ligjit. Prandaj është mirë të presim që ligji në procedurë parlamentare të vijë me kërkesë të Qeverisë dhe për këtë – ndërkohë të këtë dhënë  mendimin edhe Komisioni i Venecisë, që të mos mund deputetët e partive opozitare ta pengojnë miratimin e ligjit me dorëzim të amendamenteve, si dhe në të ardhmen të mos mund të kontestohet ligji për gjuhën shqipe në Gjykatën Kushtetuese”, thotë Alimi. Se Ligji për gjuhën shqipe së shpejti do të gjendet në procedurë parlamentare, konfirmon edhe koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Tomisllav Tuntev. “Me partnerët shqiptarë të koalicionit kemi të gatshëm draft-versionin e ligjit për gjuhën shqipe dhe së është çështje kohe se kur ky ligj do të gjendet para deputetëve të shumicës parlamentare dhe të miratohet. Presim që ligji së pari të miratohet nga Qeveria e Maqedonisë, dhe kjo në bazë të informatave që i kam, do të kalojë shumë shpejtë dhe do të futet në procedurë parlamentare. Ndërkaq sa i përket asaj se ligji a do të miratohet brenda 100 ditëshit të parë të Qeverisë, gjithë kjo varet se si do të zhvillohen punimet e Parlamentit, pas krijimit të situatës së re nga VMRO-ja, e cila tani ka më 10 grupe parlamentare me 10 koordinatorë dhe zëvendës-koordinatorë. Pavarësisht gjithë kësaj situate të krijuar në Parlament,  LSDM-së është e gatshme të mbajë premtimin dhe Ligji për përdorimin e gjuhës shqipe miratohet dhe do të ketë përdorim pikërisht ashtu siç jemi marrë vesh më partitë shqiptare që tani janë pjesë e koalicionit qeveritar”, thotë Tuntev. Në anën tjetër, koordinatori i grupit të parë parlamentar të VMRO-së, Ilija Dimovski, në konferencë për shtyp i pyetur se a do ta mbështesin Ligjin për gjuhën shqipe, tha se VMRO aspak nuk ka qasje se çfarë përmban ky draft ligj dhe se ata do të mbështesin çdo ligj pavarësisht se kush e propozon nëse më këtë nuk preken interesat kombëtare dhe sovraniteti i Republikës së Maqedonisë. “Mbështetjen t e VMRO-së do ta ketë çdo ligj i cili nuk do cenon identitetin kombëtar apo sovraniteti e shtetit.  Qëndrimi i VMRO-së është i njëjti  si para bisedimeve me partitë shqiptare për formim të qeverisë ashtu edhe tani-do të mbështesim ligjin për përdorim të gjuhës për popullatën të cilën e flasin më shumë se 20 për qind”, deklaroi Dimovski. Ndërsa në pyetjen se nëse Qeveria nuk bën publik draft marrëveshjen e arritur me Bullgarinë, a do të kërkonin nga Qeveria që para se të nënshkruhet marrëveshja ta dërgojë atë në Komisionit të Venecias ashtu siç bëhet me shqipen, Dimovski thotë se dërgesa e shqipes në Komisionin e Venecias është lojë e LSDM-së.  “Ne jemi parti serioze dhe gjithmonë kur kemi premtuar e kemi realizuar. Nuk jemi për lojëra të cilat po i përdorë LSDM-ja më qëllim që fiton kohë dhe të mos i realizon premtimet e dhëna ndaj partive shqiptare. Loja me dërgimin e gjuhës shqipe te Komisioni i Venecias dëshmon së LSDM-ja i ka gënjyer dhe vazhdon të gënjejë shqiptarët. Qeveria nuk do të përmbush premtimet për periudhë 6 muajshe dhe pas kësaj periudhe kjo qeveri do të bie”, tha Ilija Dimovski, koordinator i grupit të parë parlamentar të VMRO-së.

© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.