Shkup, 1 shkurt – Personat me të ardhura të ulëta të cilët vitin e kaluar kanë realizuar neto të ardhura nën 120.960 denarë, nuk ka nevojë të vijnë në shërbimin rajonal të Fondit për Sigurim Shëndetësor në Maqedoni të riregjistrohen dhe sigurimi i tyre shëndetësor automatikisht do të vazhdohet, njoftoi FSSHM. Limiti, sipas të cilit, qytetarët e realizojnë këtë të drejtë, theksojnë nga Fondi, shënon rritje të vazhdueshme prej 96.600 denarë në vitin 2014, deri 115.080 denarë në vitin 2015 dhe 120.960 denarë sot, që është pasojë e rritjes së pagës minimale. Gjithashtu, Fondi automatikisht do t’i riregjistrojë edhe personat të cilët dy muajt e fundit kanë realizuar të ardhura më të vogla se 20.160 denarë, ndërsa janë në kategorinë e të siguruarve të cilët kanë realizuar të ardhura prej 120.960 denarë deri 197.262 denarë vitin e kaluar. Dy kategoritë e tjera të të siguruarve të cilët paguajnë 50 për qind ose 100 për qind nga kontributi shëndetësor i pagës mesatare, ndërsa janë në suaza të limitit 120.960 denarë deri 197.262, gjithashtu nuk duhet të vijnë të riregjistrohen në sportelet e shërbimit rajonal të Fondit. Të siguruarve të cilëve automatikisht do t’u vazhdohet sigurimi shëndetësor, nuk do të marrin vendime të reja përmes postës. Personat të cilët nuk do t’u vazhdohet sigurimi shëndetësor për shkak të ardhurave të larta nga të theksuarat në limit do të marrin vendim përmes postës dhe duhet të vijnë në shërbimin rajonal ta rregullojnë sigurimin e tyre shëndetësor, informon FSSHM. Personat të cilët këtë të drejtë nuk e kanë shfrytëzuar dhe nuk janë në bazën e Fondit, ndërsa janë në kategoritë e të ardhurave, theksojnë nga FSSHM, duhet të vijnë dhe të paraqiten në sportelet e shërbimeve rajonale të Fondit. Gjithashtu edhe personat të cilët për herë të parë kanë parashtruar fletëparaqitje për sigurim shëndetësor gjatë muajit janar duhet të vijnë në sportelet e Fondit sërish të paraqiten, në pajtim me limitet e publikuara aktuale ligjore, sepse ato për vitin 2016 janë rritur me qëllim që ta realizojnë të drejtën e sigurimit shëndetësor. Numri i personave të cilët kanë shtruar për herë të parë kërkesë në janar të vitit 2017 arrin 3.117 persona dhe duhet që ata të vijnë dhe të riregjistrohen. Njëherit edhe personat të cilët kanë ndryshim në lartësinë e neto të ardhurave, duhet të vijnë në shërbimet rajonale të Fondit nga 1 shkurti deri më 31 mars të këtij vitit dhe sjellin dokumente për riregjistrimin e ri, thekson Fondi. Si të ardhura të familjes, informojnë nga Fondi, vlerësohen të ardhurat personale dhe të ardhurat e anëtarëve të bartësit të sigurimit shëndetësor (bashkëshort, fëmijë). Nëse konfirmohet se personi i siguruar bën pjesë në kategori tjetër me të ardhura më të larta, ndërsa nuk ka paraqitur se ka të ardhura dhe ka shfrytëzuar shërbime shëndetësore, Fondi sipas detyrës zyrtare do të sjell vendim për ndërprerjen e cilësisë së person i siguruar, me ç’ka i pezullohen të drejtat e sigurimit të obligueshëm shëndetësor. Për të gjitha informacionet më të hollësishme lidhur me projektin për regjistrim/riregjistrim të personave të papunë, të siguruarit mund të drejtohen në info linjën falas 080033222 ose emajlin: [email protected] si dhe në ueb faqen www.fzo.org.mk në pjesën e riregjistrimit të personave me të ardhura të ulëta, njoftuan nga FSSHM. Çdo vit në periudhën nga 1 shkurti deri më 31 mars, personat me të ardhura të ulëta janë të obliguar të vijnë të japin deklaratë në shërbimet e sporteleve te Fondi, me qëllim që ta vazhdojnë të drejtën e sigurimit shëndetësor të cilat u mbulon shteti përmes Ministrisë së Shëndetësisë. Këtë vit vazhdon riregjistrimi i tyre automatik, shtojnë nga FSSHM. (koha.mk)