Vjollca SADIKU
Dibër, 3 mars – Projekti i Unionit të Nxënësve Shqiptar “Një hap drejt përmirësimit të sistemit arsimor në Maqedoni” ka marrë përkrahje të fuqishme në Dibër, shkruan gazeta KOHA. Përfaqësues të Unionit në takimin me kryetarin e Dibrës, Ruzhdi Lata dhe drejtorin e shkollës të mesme komunale “28 Nëntori”, Qeram Lleshi u informuan se pushteti vendor dhe gjimnazi i Dibrës, po ashtu janë të mendimit se përmirësimi i sistemit arsimor është nevojë e kohës. Në takimet u theksua se sistemi i arsimit në vend duhet të avancohet në interes të arsimimit, me që ai ka një rrol të madh edhe në zhvillimin e shoqërisë në tërësi.
Kryetari i Dibrës, Ruzhdi Lata, tha për KOHA se Dibra gjithmonë ka qenë vatër e arsimit. Projektet që avancojnë sistemin arsimor, e në këtë drejtim edhe gjuhën shqipe, kanë qenë dhe gjithmonë do të jenë të mirëseardhur për komunën. Në këtë takim kryetarja e Unionit, Majlinda Çilafi, informoi për realizimin e projektit si dhe kërkesat që ditë më parë i janë dorëzuar ministrit të Arsimit, Pishtar Lutfiu, rreth përmirësimit të kushteve nëpër shkolla, realizimit të procesit edukativo arsimor në shkollat shqipe si dhe kërkesën që brenda katër viteve tekstet në gjuhën shqipe t’i përgatisin autorët shqiptarë, me qëllim që të mos ketë tekste ku bëhet nënçmimi i kombit shqiptar. Përfaqësuesit e Unionit po ashtu thanë se testimi ekstern është tërësisht i dëmshëm për nxënësit. Kryetarja e Unionit për Komunën e Dibrës, Vlora Lata, tha se në Dibër nxënësit realizojnë aktivitete të shumta në drejtim të përdorimit të shqipes standarde.
Gjatë prezantimit të projektit në gjimnazin “28 Nëntori” u debatua në lidhje me gjendjen aktuale të përdorimit të gjuhës shqipe. Prof. dr. Mustafa Ibrahimi nga UEJL-Tetovë, duke ligjëruar në temën “Shqipja standarde dhe gjendja aktuale e përdorimit të saj” tha se si nxënësit, intelektualët si dhe institucionet duhet të përdorin tërësisht shqipen standarde. Në debat nxënësit përshëndetën këtë projekt dhe temën që u prezantua dhe thanë se janë të gatshëm të marrin pjesë edhe në fazat e ardhshme të këtij projekti, që ka të bëjë me mbajtjen e Konferencës me pjesëmarrës nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Gjatë vizitës në gjimnazin e Dibrës, drejtori Qeram Lleshi, informoi përfaqësuesit të Unionit të Nxënësve Shqiptar dhe ligjëruesit nga UEJL – Tetovë, se mësimi i nxënësve dibran zhvillohet në një objekt të ri, i cili avancon sistemin edukativo arsimor, me që posedon të gjitha kushtet.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.