Gostivar, 18 prill -Në organizim të Muftinisë së Bashkësisë Fetare Islame në Gostivar, javës që lamë pas u organizua manifestimin tradicional me rastin e ditëlindjes së profetit Muhamedit, ditë kjo që paraqet një ngjarje të madhe për besimtarët e Botës Islame. Me këtë rast, muftiu i Muftinisë së Bashkësisë Fetare Islame në Gostivar, Shaqir ef Fetahu vuri në dukje që ishte kënaqësi të përjetohet ky manifestim i jashtëzakonshëm me të gjitha ngjyrat e aktiviteteve të realizuara në suaza të këtij evenimenti, shkruan gazeta KOHA. “Ky manifestim ishte finalizim i gjitha aktiviteteve tona të ndërmarra në suaza të manifestimin tradicional “Java e Muhamedit a.s”. Falënderoj të gjithë aktorët që në forma të ndryshme ndihmuan në realizimin e këtij manifestimi, këshillin organizativ, korrin e Muftinisë së Gostivarit, medresesë respektivisht medresanteve të Gostivarit, institucionet, mediat si dhe gjithë pjesëmarrësit që sonte u prezantuan në skenë për hire të Muhamedit a.s”, u shpreh Fetahu. I pranishëm në këtë eveniment ishte edhe kryetarit Nevzat Bejta, i cili në prononcimin për mediat shprehu respekt dhe falënderim për Muftininë e qytetit me rastin e organizimit për ditëlindjen e profetit Muhamed. “Muhamedi është drita e pashuar e njerëzisë. Me ardhjen e Muhamedit, shoqërisë në gjithë botën i erdhi paqja. Ne si Komunë edhe në të ardhmen do të vazhdojmë të përkrahim organizimin e mevludit për ditëlindjen e profetit tonë, sepse Muhamedi a.s shoqërinë e shpiu përpara drejt rrugës së njerëzisë dhe besoj që të gjithë ata që do ta ndjekin rrugën e njerëzisë do të gjejnë drejtësi në këtë Botë dhe Botën tjetër”, tha mes tjerash Bejta. Në përkujtim të jetës dhe veprës së profetit Muhamed dhe në suaza të manifestimin tradicional “Java e Muhamedit a.s”,Muftinia e Bashkësisë Fetare Islame në Gostivar realizoi aktivitete të shumta brenda javës së kaluar. Nxënësit e medresesë në sheshin e qytetit shpërndanë fletushka, broshura dhe ëmbëlsira për të gjithë kalimtarët e rastit. Në hapësirat e qendrës për kulturë u bë promovimi i librit “Përhapja e Islamit në Ballkan me theks të veçantë në Maqedoni prej shek. XV-XVII, shkaqet dhe mënyra e përhapjes” të autorit Mr. Ffehmi Ebibi – ligjërues dhe imam në xhamitë e Negotinës së Pollogut. U bë promovimi i albumit me Ilahije “Selam” të Korit të Muftinisë së Gostivarit. Manifestimi qendror, ashtu si çdo vit u transmetua drejtpërdrejt në kanalin televiziv shtetëror RTM2 – programi i dytë në gjuhën shqipe. Sponsor medial i manifestimit ishte gazeta Koha. (koha.mk)