Evis HALILI
Shkup, 7 korrik – Me motive politike, etnike dhe racore përdorimi i gjuhës së urrejtjes është shënuar në rreth 200 raste gjatë një viti, në prezantime publike, media, apo edhe rrjetet sociale. Por për shkak se jo vetëm që nuk mund të sanksionohet, por edhe të përkufizohet në kodin penal si e tillë, këto raste kalojnë pa u ndëshkuar, duke e shndërruar në një mënyrë komunikimi që po natyralizohet në shoqëri.
Në një prej analizave të organizuar nga Insituti Maqedonas i Mediave “Efikasiteti i rregullativës ligjore për mbrojtjen nga gjuha e urrejtjes” kërkohet që të bëhen ndryshimet e nevojshme ligjore që ky fenomen të inkriminohet mjaftueshëm në legjislacionin vendas, por edhe të përpilohet formulimi dhe përkufizimi i saktë tij. Sipas analizës, mungesa e sanksioneve ndaj gjuhës së urrejtjes mundësoi që për një periudhë të gjatë shumë media të marrin vendime editoriale në baza joprofesionale dhe joetike duke transmetuar emisione që nxisnin dhe përhapën diskriminimin, intolerancën dhe gjuha e urrejtjes në vend që të izolohej dhe margjianlizohej u kthye në elementin kryesor të diskursit mediatik.
Sipas Nenad Zhivanovski, autor i kësaj analize, i tërë realiteti mediatik në vend tregon se gjykata, trupat rregullatore si edhe trupat vetërregullues, ose nuk kanë dashur që të zbatojnë sanksione kundrejt promotorëve të gjuhës së urrejtjes, ose kanë qenë të pafuqishëm për një gjë të tillë. “Kodi penal në disa nene e inkriminon gjuhën e urrejtjes, por në fakt ato nuk i referohen drejtpërsëdrejti gjuhës së urrejtjes, por e trajtojnë si ofendim, apo provokim. Nga ana tjetër Ligji i shërbimeve audio dhe audiovizuale edhe pse e dënon nuk e sanksionon në asnjë rast përdorimin e gjuhës së urrejtjes…Edhe gjyqësori, edhe mediat në vend që të ishin një lloj dige për kontributin antiligjor dhe joprofesional të disa gazetarëve, ato u shfaqën në rolin e mbrojtësit dhe miratuesit të përdorimit të lirë të gjuhës së urrejtjes”, thotë ndër të tjera Zhivanovski. Në debatin e organizuar nga IMM pati vërejtje edhe për vetë rolin pasiv të gjyqësorit dhe gjykatësve dhe prokurorëve të cilët duhet të ngrenë iniciativa për të mbrojtur jo vetëm vlerat e shoqërisë, por edhe të drejtat dhe liritë e individit të cenuar.
“Sa më shumë që të lihet e lirë kjo gjuhë e urrejtjes, aq më e zakonshme bëhet ajo në komunikimin e përditshëm dhe kështu do të vazhdojë për një kohë të gjatë, derisa Prokuroria publike të mos fillojë të hapë procese. Është ajo që duhet të luajë rolin aktiv dhe të thotë se po, ka gjuhë të urrejtjes e cila duhet të procedohet”, thotë avokati Llazar Sandev. Sipas të dhënave nga Komiteti i Helsinkit gjuha e urrejtjes dhe rastet e evidentuara prej tyre bazohen në motive politike, etnike dhe të orientimit seksual. (koha.mk)