Fisnik PASHOLLI
Shkup, 23 maj – Përkundër derdhjes së qindra e qindra miliona eurove në subvencioneve gjatë 12 viteve të kaluara, megjithatë në Maqedoni shënohet stagnim dhe jo përparim në prodhimtarinë blegtorale. Bujqit ankohen për çmimet e ulëta grumbulluese, që shpesh nuk i mbulojnë as harxhimet e prodhimit, kurse ulje të madhe ka edhe te numri i dhenve dhe pulave , stagnon numri i lopëve dhe prodhimtaria e mishit të gjedhit, dhenve e pulës, shkruan gazeta KOHA. Rritje ka vetëm tek prodhimtaria e qumështit , edhe atë te kompanitë bujqësore, por shumë pak tek fermerët individual. Këtë e dëshmojnë edhe të dhënat statistikore, sipas të cilave, numri lopëve në vitin 2016 ka qenë 254.768 sosh, që paraqet shifra të përafërta me 254 803 lopë sa ishin në vitin 2004. Në 12 vitet e kaluara është përgjysmuar numri i dhenve, nga 1.432 369 në 723 295 si dhe numri i pulave nga 2.725 298 në 1. 352 762 copë.
RËNIE EDHE E PRODHIMTARISË TË QUMËSHTIT TË DHENVE
Njëherazi rënie të madhe shënon edhe prodhimtaria e mishit të gjedhit, prej 8824 tonë në vitin 2004 në 3962 tonë në vitin 2016. Regjistrohet edhe rënie e prodhimtarisë së qumështit të dhenve, prej 47 876.000 në 41 066.000 litër qumësht, ndërsa ulje të madhe shënon edhe prodhimtaria e vezëve. Rritje, falë përmirësimit të racave si dhe investimeve të ndryshme, shënohet vetëm tek prodhimtaria e qumështit, prej 212 898 mijë litra në 403 044 mijë litra, edhe atë kryesisht tek kompanitë dhe më pak tek fermerët individual. Nga ana tjetër, në këtë periudhë 12 vjeçare kemi edhe dyfishim të lopëve qumështore tek kompanitë private, prej 3856 lopë në vitin 2004 në 7399 lopë në vitin 2016. Tek bujqit individual kemi rritje prej vetëm 3680 lopë qumështore përgjatë 12 viteve të kaluara. Kjo do të thotë se kemi rritje prej 125.920 në 129.600 lopë qumështore që kultivohen nga ana e fermerëve individual apo fermave të vogla familjare. Njëherazi, kemi rritje të prodhimit të qumështit prej 5113 litra në viti në vitin 2004 në 7399 litër për lopë në vitin 2016 tek firmat bujqësore në nivel vjetor, si dhe rritje tejet të ulët të prodhimit të qumështit për lopë tek fermerët individual, prej 2811 litra në vitin 2004 në 2954 litra për lopë në nivel vjetor në vitin 2016. Nga ana tjetër, blegtorët ankohen për çmimin e ulët grumbullues të qengjit, uljen e kërkesës për grumbullimin e mishit të viçit, si dhe çmimin e ulët blerës të qumështit. Shoqatat e ndryshme kërkojnë nga kompetentët zgjidhjen e problemeve të ndryshme që kërcënojnë mbijetesën dhe ekzistencën e blegtorëve. Problem shtesë janë edhe vonesat e subvencioneve, me çka blegtorët nuk mund të mbulojnë as harxhimet themelore të prodhimit.
Më shumë shoqata të bujqve dhe blegtorëve nga e tërë Maqedonia në mbledhjen e organizuar nga shoqata “Agro Fallanga”, e që u mbajt në Veles para tre javësh, kërkuan edhe më shumë masa konkrete, siç është vendosja e konkurrencës më të madhe dhe liberalizimin e grumbullimit të kafshëve në vend. Kërkohet edhe përgatitja e planit dhe strategjisë për promovimin e prodhimeve vendore, rritjen e konsumit të prodhimeve vendore përmes reklamimit si dhe formimin e grupit të interesuar të qytetarëve, gjegjësisht konsumatorëve të tyre. Sipas profesorit universitar, Boris Anakiev, ndër shkaqet kryesore të uljes së fondit të kafshëve është fakti se blegtoria është një proces pune më i ndërlikuar, që kërkon më shumë njohuri dhe investime nga njëra anë, por edhe politikat e gabuara bujqësore nga ana tjetër, të cilave ju mungon ndjeshmëri dhe takt më i madh për përkrahjen në degët e ndryshme të blegtorisë.
Në uljen e fondit të kafshëve kanë ndikuar edhe sëmundjet, si bruceloza apo gjuha e kaltër, afera e “Suidmillk”, që dëmtoi mjaft bujqit, por edhe ulja e interesimit të të rinjve që të merren me blegtori si rrjedhojë e shpërnguljes nga viset rurale të të dalë jashtë shtetit apo edhe në vendbanimet urbane nëpër Maqedoni. Gjithashtu edhe e plasmani jo i sigurt i prodhimeve bujqësore, kostoja e lartë e punës, që shpesh nuk i mbulon as harxhimet , çmimet e ulëta të grumbullimit që diktohen nga tregtarët, mosrespektimi i kontratave për shitblerje, si dhe vonesat në pagesa të prodhimeve bujqësore dhe blegtorale të grumbulluara, janë shkaqet kryesore pse ulet në vazhdimësi interesimi i të rinjve për t’u marrë me bujqësi dhe blegtori.
ËSHTË RRITUR IMPORTI I MISHIT
Të dhënat tregojnë se në vitin 2007, importi i mishit dhe përpunimit të mishit ka qenë i vlefshëm afër 72 milion euro, ndërsa në vitin 2014 ai ka arritur në 144 milion euro. Ekonomistët propozojnë që të shqyrtohet ndryshimi i modelit të subvencionimit lidhur me prodhimtarinë vendore të mishit. Kërkohet edhe më shumë vëmendje për prodhimtarinë vendore të ushqimit të kafshëve si resurs themelor në blegtori, ku një nga modelet është edhe kushtëzimi i subvencioneve me posedimin e tokës në pronësi për prodhimin vetanak të ushqimit të kafshëve. Ndryshe, analizat tregojnë se problem për prodhimin më të madh të ushqimit nga resurset vendore është edhe fakti se një e treta e tokave punuese bujqësore janë të papërpunuara, parcelat janë të vogla dhe të shpërndara, andaj edhe prodhimi vendor i ushqimit të kafshëve, si bimët foragjere, por edhe drithërave, mishit, vajit të lule diellit, qumështit dhe sheqerit as përafërsisht nuk i kënaq kërkesat e fermerëve dhe nevojat e popullatës. Gjithashtu, krahas parcelave të vogla, fermerët në Maqedoni ballafaqohen me mekanizimin e vjetër dhe problemin me vaditjen e rregullt të hapësirave bujqësore, si pasojë e kanaleve të pa pastruara.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara