Urim HASIPI
Tetovë, 14 gusht – Sikurse çdo vit, Tetova me rrethinë në këto muajt e nxehtë të verës ka mirëpritur bashkatdhetarët e saj të cilët veprojnë dhe punojnë në shtetet e Evropës Perëndimore. Vet ardhja e tyre për të pushuar në vendlindje tregon se ata ende vazhdojnë të ruajnë traditën e kthimit të tyre në vendlindje, për pushime dhe festa të ndryshme, shkruan gazeta KOHA. Ardhja e mërgimtareve është ndihmesë shumë e madhe për ekonominë tetovare, janë bizneset e vogla, por edhe të mëdha Tetovare ato që më së shumti dhe më së miri e ndjejnë ardhjen e tyre në vendlindje me rritjen më të madhe të qarkullimit ekonomik dhe volumit të punës. “Vetëm gjatë verës rritet puna, apo të hyrat ditore dhe kjo falë ardhjes së mërgimtarëve tanë në vendlindje se përndryshe – kur nuk është sezoni i verës, puna jonë është shumë më e vogël apo sa për të mbijetuar. Por edhe kjo zgjat shumë pak kohë, sepse edhe mërgimtarët viteve të fundit nuk qëndrojnë më shumë se dy apo tre javë në vendlindje, sepse nuk u ofrohet asgjë dhe ata ikin shumë shpejt. Sa më pak që ata vijnë në vendlindje, aq më shumë kjo vërehet në punën tonë. Për dallim nga e kaluara, kur mërgimtarët shpenzonin më shumë para, tash pothuajse janë përgjysmuar të hyrat tona në krahasim me kohën e para dhjetë apo njëzet viteve kur lulëzonte çdo biznes në Tetovë”, thotë për KOHA, Halil Halimi, pronar i një lokali në Tetovë. Ekspertët ekonomik dhe të bizneseve theksojnë se kthimi i mërgimtarëve ka një rol të madh dhe të drejtpërdrejtë në ekonomitë e vogla. Sipas tyre, të ardhurat nga diaspora kryesisht shpenzohen për konsum familjar, dasma, ahengje të ndryshme, në ndërtim me ndonjë përjashtim. Për shkak të neglizhencës së shtetit ndaj diasporës, këtyre investitorëve potencial institucionet nuk ju mundësojnë kushte të volitshme për biznes. “Mërgimtarët viteve të fundit bëjnë investime apo i harxhojnë mjetet e tyre vetëm në çështje familjare, ahengje, dasma e kështu me radhë, mirëpo për fat të keq – investimet në hapjen e ndonjë biznesi janë gjithnjë e më pak. Para 15 viteve, ato biznese që janë hapur nga mërgimtarët tanë në vendlindje akoma janë biznese të fuqishme. Gjenerata tjetër tashmë që ka kaluar një kohë të gjatë në Perëndim shumë pak është e interesuar për të bërë ndonjë investim më të madh këtu”, thotë për KOHA Selajdin Idrizi, menaxher në Agjencinë “Esa”. Ai më tej thotë se në këtë aspekt, shteti nuk ka bërë asgjë për t’ju mundësuar atyre që të bëjnë investime në Maqedoni, konkretisht në Tetovë. “Në këtë drejtim do të kisha thënë se shteti nuk ka bërë asgjë që mërgimtarët tanë, kapitalin e fituar jashtë, ta investojnë këtu, duke u gjetur lokacione dhe duke iu dhënë lehtësi më të mëdha gjatë hapjes së biznesit e kështu me radhë, por në këtë drejtim nuk është punuar asgjë”, thekson Idrizi. Ndryshe, mërgimtarët që jetojnë përkohësisht në vendet e ndryshme perëndimore, mbeten shtylla kryesore e ekonomisë familjare në Pollog, ndërsa vendi i tyre i lindjes në kompensim ju ofron mundësi vetëm për të shpenzuar para dhe asgjë më shumë, pohojnë njohës të rrethanave ekonomike. Për dallim nga vitet e kaluara, sipas qytetarëve të Tetovës, këtë vit ka një numër më të madh të mërgimtarëve, të cilët kanë ardhur për të kaluar pushimet në vendlindje. Kjo vërehet nëpër rrugët e qytetit, të cilat janë të stërngarkuara me vetura luksoze dhe fluks të madh të njerëzve. Krahas kësaj, pothuajse në asnjë nga komunat e Pollogut nuk ka organizuar ndonjë eveniment me mërgimtarët e interesuar që të informohen për kushtet e hapjes së biznesit apo për të bërë ndonjë investim më serioz që do të mundësonte hapjen e vendeve të reja të punës dhe kjo ka bërë që shumë të rinj tashmë kohëve të fundit gjithnjë e më shumë të largohen në drejtim të Evropës për të siguruar një jetë më të mirë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.