Driton ZENKU
Gostivar, 5 mars – Me rritjen e temperaturave dhe hapjes së punëve ndërtimore, ditëve të fundit vërehet ardhja e emigrantët nga Shqipëria, të cilët kanë zgjedhur rajonin e Gostivarit për punë sezonale, shkruan gazeta KOHA. Në qendrat e fshatrave më të mëdha siç janë Çegrani, Forina, Debreshi dhe Raveni, por edhe tek rruga për tek stacioni i autobusëve dhe trenave në Gostivar, për çdo ditë vërehet prania e tyre në numër të konsiderueshëm. Thuajse shumica e tyre janë të njëjtit njerëz që kanë qenë edhe viteve të kaluara. Edhe pse ende punët në terren nuk janë hapur siç duhet, ato nga ditët e para të muajt mars kanë udhëtar drejt Gostivarit, me shpresë se do të arrijnë të punojnë ndonjë ditë.
Prezenca e tyre në të shumtën e rasteve në mënyrë ilegale apo pa dokumentacion përkatës për punë, shpesh herë nxit reagimin e organeve të rendit. Sidomos vitit të kaluar, policia ndërmori disa aksione kundër shtetasve të Shqipërisë të hasur duke qëndruar dhe punuar ilegalisht në Gostivar dhe rrethinë. Vetëm gjatë vitit që lamë pas, policia ka zbuluar dhe përcjellë drejt vendeve të tyre rreth 150 nënshtetas të huaj. “Disa herë kemi qenë në shënjestër të Policisë. Disa nga emigrantët është fakt se nuk kanë leje qëndrimi në Maqedoni, por këtu vijnë nga halli. Ka dhe të tillë që merren me punë të pandershme dhe për ato duhet të vlen ligji pa hamendje, por për njerëzit që kanë ardhur nga halli për të siguruar kafshatën e bukës, mendoj se policia duhet të jetë më tolerante”, thotë një emigrant që nuk deshi të identifikohet. Për dallim nga periudha në vijim, vitet e mëhershme Gostivari dhe rrethina ka qenë qendër e punëtorëve ilegal nga shtetet fqinje, të cilët kryesisht angazhoheshin si dorë pune e volitshme në ndërtimtari, bujqësi por edhe veprimtari të tjera. Por puna e tyre bart edhe rreziqe të tjera. Prezenca e tyre dhe puna ilegale, jo rrallë herë kalon pa rreziqe, madje edhe për jetën. Gjatë vitit të kaluar, në vend të punës jetën e humbën disa nga ato. Një ditë e rëndomtë e tyre kalon përmes shumë sfidave. Derisa ditën shpërndahen në kërkim të punës, në mbrëmje takohen në vendet ku strehohen dhe kalojnë natën. Për tu ikur shpenzimeve, në një banesë banojnë më tepër persona. Çdo njëri detyrohet të paguan nga 50 deri 100 denarë për një natë strehim, edhe pse nuk i kanë as kushtet elementare për banim. Nuk flitet për kuzhinë, banjë apo ndonjë dhomë të dytë. Aty qëndrojnë sa për të kaluar natën. Ushqimin e hanë aty ku gjejnë dhe aty ku munden. Ndodh që ndonjë ditë këtë barë tua heqin njerëzit tek të cilët punojnë. “Ka banesa që na lëshojnë me qira. Banojmë nga 5 deri 7 por edhe më tepër persona në një dhomë. Pronarit të banesës i paguajmë nga 50 ose 100 denarë në ditë, varësisht si e gjejmë. Me ushqimin, ose e blejmë vet në ndonjë shitore ose na japin atje ku punojmë. Në çmim nuk parashihet edhe ushqimi, kush na jep e bën nga dëshira e vete”, thotë për KOHA, Jakup Xhoca banor i Lezhës, i cili sivjet për të 10 vit me radhë vjen në Gostivar për të punuar. Mëditja e tyre rrotullohet nga 10 deri 30 euro, varësisht nga angazhimi dhe puna që bëjnë. Mëditja që marrin, duke pasur para sysh se punojnë punë krahu, nuk është ajo që do të dëshironin, por paperspektiva për të gjetur punë në vendlindjen e tyre, i bënë të jenë të kënaqur me atë çka marrin këtu. “Ndodh që me ditë të tëra mos të angazhohemi askund në punë, presim gjithë ditën dhe në fund kthehemi në banesë pa fituar asnjë lek. Por përgjithësisht jemi të kënaqur me punën dhe të ardhurat që arrimë t’i fitojmë këtu, për shkak se në Shqipëri gjendja është ende më e rënduar”, thekson Denad Muzaka banor i Peshkopisë. Jo zyrtarisht, gati 500 shtetas të Shqipërisë brenda vitit arrijnë të gjejnë punë dhe sigurojnë të mira materiale për familjet e tyre. Mesatarisht, llogaritet të përfitojnë nga 3 deri 5 mijë euro në vit.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.