Strugë, 30 nëntor – Jo që nuk ka përmirësim, por te një pjesë e familjeve strugane kriza ekonomike po thellohet nga dita në ditë, dhe tashmë një pjesë kryefamiljarëve, përveç se janë të detyruar të marrin ushqimin me listë, po shesin edhe stolitë e grave prej ari për të shtyrë ditët e mbijetesës, shkruan gazeta KOHA. Në këtë gjendje është edhe një pjesë e biznesit të vogël, e cila në mungesë të likuidetit detyrohet të krijojë borxhe te biznesi më i madh apo te të tretët. Këtë fenomen e konfirmojnë nga këmbimoret e qytetit, ku pa dashur të identifikohen, thonë se pothuajse çdo ditë ndeshen me raste kur persona të caktuar lënë peng apo ofrojnë edhe stolitë e grave, vetëm e vetëm për të siguruar mjete financiare në funksion të ekzistencës momentale të familjeve të tyre. Sipas tyre, ky fenomen dikur nuk ka qenë prezent, por viteve të fundit është masivizuar kjo edhe për efekt të krizës ekonomike dhe fenomeneve të tjera që po shoqërojnë këtë tranzicion të tejzgjatur, si varësia nga bixhozi, lojërat e fatit që në shumë raste kanë shkatërruar shumë ekonomi familjare. Ndërkohë, përveç këmbimoreve, edhe në argjendaritë e qytetit thonë se është shtuar numri i atyre që ofrojnë stolitë e arit për shitje. Menaxheri i një argjendarie në qytetin e Strugës konfirmon se dikur bëhej ndërrimi i floririt me flori, ndërsa tani është shtuar numri i atyre që ofrojnë për shitje stoli ari vetëm e vetëm që të vijnë deri të mjetet e nevojshme financiare. “Dikur nuk ishte në këto nivele ky fenomen, ndërsa tashmë pothuajse çdo ditë ndeshemi me raste kur ofrohen stoli ari në këmbim të parave. Përveç arsyeve të tjera, një ndikim në shtimin e këtij fenomeni patjetër që ka ndikuar edhe situate e vështirë sociale te ata që i ofrojnë stolit e arit për të arritur deri te mjetet financiare”, përfundon ai pa dashur të identifikohet. Drejtori i Entit për Mbrojtjen Sociale në Strugë, Vegim Nura, për gazetën KOHA thotë se kërkesat për ndihmë sociale janë në nivelet e viteve paraprake dhe nuk vërehen ndryshim thelbësore në shtimin e kërkesave për të përfituar kujdesin e shtetit, gjithashtu edhe kërkesat për ushqim falas te mensa e qytetit janë në po ato nivele që kanë qenë edhe më herët. “Ne brenda mundësive që garanton ligji, gjithmonë jemi munduar që qytetarët që kanë probleme të theksuara në rrafshin e ekzistencës sociale t’u mundësojmë benificionet që ua garanton shteti. Përveç ndihmës sociale financiare, subvencionin për pagimin e rrymës elektrike, u asistojmë edhe për shumë nevoja të tjera”, përfundon ai. Ndërsa qytetarët nevojtarë hedhin poshtë këto pretendime dhe në kushte anonimati thonë se për të përfituar ndihmën sociale janë krijuar një sërë procedurash dhe rregullash burokratike që në themel kanë pamundësimin e marrjes së ndihmës sociale dhe në shumë raste ata thonë u është shqiptuar vendimi që të kthejnë ndihmën financiare sërish në shtet.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.