Urim HASIPI
Tetovë, 21 qershor – Disa nga bujqit e rajonit të Tetovës duhet të marrin dëmshpërblime për dëmet që u shkaktoi breshëri, për vërshimet nga lumi në fshatin Poroj dhe për ngricat që i shkaktoi të ftohti para dy muajve, kur u shkatërruan shumë kultura bujqësore, shkruan gazeta KOHA. Pas vizitës së ministrit të Bujqësisë, Lupço Nikollovski në fshatin Poroj, ai urdhëroi njësinë rajonale në Tetovë që të evidentojë dëmet e shkaktuara në këtë fshat. Në ndërkohë, sipas drejtuesve të kësaj njësie, deri më tash vetëm në fshatin Poroj nga vërshimet e fundit janë dëmtuar rreth 50 hektarë, ndërsa 100 bujq kanë denoncuar dëme.
“Në dy ditët e para, ne si njësi kemi bërë verifikimin e dëmeve, e kemi parë të arsyeshme se diku janë rreth 50 hektarë të dëmtuar. Më pas janë formuar edhe dy komisione nga ana e ministrit dhe menjëherë kemi dalë në teren dhe kanë pranuar lëndët nga palët që kanë bërë kërkesë. Deri më tash kemi arritur të kompletojmë 100 lëndë. Për sa i përket këtyre lëndëve, ne për çdo ditë jemi në teren, bëjmë verifikimin e dëmit të shkaktuar në kulturat bujqësore. Dua të nënvizoj se shumica e kulturave janë shkatërruar 100 për qind”, thotë për KOHA, Afrim Sejrani, kryeshef i Njësisë rajonale të Ministrisë së Bujqësisë në Tetovë. Ai nënvizon se më shumë në këtë rast janë dëmtuar misri, patatet, domatet, fasulet, specat e kështu me radhë. Sipas tij, dëm është shkaktuar edhe në kulturat bujqësore edhe në dy fshatra më poshtë, gjegjësisht në Trebosh dhe Pallaticë. Disa parcela, krahas këtyre dy fshatrave, janë dëmtuar edhe në fshatin Xhepçisht. Nga kjo njësi kanë bërë thirrje që të paraqiten bujqit që pësuan dëme gjatë reshjeve të shiut dhe të breshrit të para disa ditëve.
Megjithatë, sipas njësisë rajonale të kësaj Ministrie, dëme janë denoncuar vetëm në rajonin e Dërvenit. “Nga reshjet e breshrit ka pasur dëme edhe në rajonin tonë. Më shumë që kanë paraqitur dëme janë nga rajoni i Komunës së Zhelinës, gjegjësisht fshatrave të Dërvenit. Në mbledhjen e fundit të Qeverisë është vendos që edhe rajoni i Tetovës të përfshihet në rajonet që pësuan dëme gjatë breshrit të para disa ditëve. Kjo do të zgjasë deri më 30 qershor. Pra, edhe njëherë apelojmë që nëse bujqit kanë dëme nga breshëri, le t`i paraqesin sa më parë”, tha Sejrani. Po ashtu, këtë vit dëme në bujqësi shkaktuan edhe ngricat e para dy muajve, me ç’rast shumë bujq tetovarë pësuan dëme të mëdha. “Këto lëndë janë përfunduar dhe këtë javë, raportet e kompletuara, do t’i dërgojmë në Ministrinë e Bujqësisë. Fillimisht do të duhet që të kalohen disa procedura derisa në fund të paguhen dëmet. Rreth 350 lëndë kanë të bëjnë me dëmet nga ngricat në rajonin e Tetovës, pjesa më e madhe kultura kopshtare”, deklaroi Sejrani.
Lidhur me pagesat, sipas informatave jozyrtare, duke u bazuar edhe në pagesën e dëmshpërblimeve gjatë vërshimeve të vitit 2015, bujqit do të duhet të presin ndoshta edhe gjashtë muaj për të marrë paratë. Kjo ka qenë përvojë në të kaluarën, por nuk dihet se si do të jetë me këtë Qeverinë e re, pohojnë nga Njësia rajonale e Ministrisë së Bujqësisë në Tetovë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara