Omer XHAFERI
Shkup, 30 dhjetor – Dyzet vrasje janë regjistruar dy vitet e fundit në Maqedoni, prej të cilave më shumë se 80 për qind janë zbardhur, shkruan gazeta KOHA. Ndërkohë, numri i krimeve të rënda ka shënuar rënie të vazhdueshme, edhe pse mbizotëron përshtypja se qytetarët shumë lehtë zihen me ata të cilët janë në grindje apo kanë hesape të pa pastruara. Mbahen mend disa krime monstruoze, ndërsa ende nuk ka përgjigje se kush i vrau dy shtetasit turq në lagjen Kozle të Shkupit, gjegjësisht kush është ekzekutues dhe porositës i vrasjes së dyfishtë në Gerçec të Shkupit, ku humbën jetën dy persona të afërm me njëri-tjetrin. Hetimet e këtyre rasteve zgjasin më shumë se një vit, por ende nuk ka zgjidhje. Në vitin aktual, rekordin për nga vrasjet e mban zona e Kumanovës, ku janë kryer pesë vrasje. Para disa ditëve Prokuroria Publike akuzoi një person për vrasjen e cila ndodhi në fund të qershorit në ambientet e kishës “Shën Mina”. I akuzuari i është afruar shokut të tij dhe e ka goditur në kokë, ndërsa më pas trupin e ke hedhur në pus. Javën e kaluar, akuza për vrasje janë ngritur dhe për një 30 vjeçar nga Kumanova, i cili gjatë verës me makinën e tij qëllimisht goditi fëmijën katër vjeçar në afërsi të Shtëpisë së Shëndetit në këtë qytet. Në qershor, një polic u vra përderisa kishte intervenuar pas një paraqitje të dhunës në familje në Sredorek të Kumanovës. Një vajzë nëntëmbëdhjet vjeçare nga fshati Mateç, nën dhimbjet e lindjes ishte mbyllur në banjo dhe ka lindur foshnjë të gjallë-vajzë, të cilën pastaj e ka hedhur në bërllok prapa shtëpisë familjare. Rasti është zbuluar pas një kohe kur vajzës i është përkeqësuar gjendja shëndetësore dhe ka pasur gjakderdhje të madhe dhe kur prindërit e kanë dërguar në spital. Publiku u trondit nga një tjetër rast i ngjashëm, kur një apsolvente nga Shkupi e kanë kapur dhimbjet e lindjes gjatë një udhëtimi në ekskurzion në Pragë. Derisa kanë pritur kontrollin e pasaportave në vendkalimin Tabanov, ajo ka shkuar në tualet, ka lindur dhe e ka hedh foshnjën në bërllok, ndërsa ka vazhduar udhëtimin sikur asgjë mos të kishte ndodhur.
Vrasja e fundit këtë vitë ndodhi në fillim të këtij muaji, kur në sheshin Kojnik në Veles u vra një burrë 43 vjeçar, ndërska shoku i tij, i cili është i dyshuar për krimin, është arrestuar. Që në fillim viti 2016 u shënua nga një përleshje e përgjakshme në Ohër, kur një shtetas serb ndërkohë u dënua me 14 vjet burg për vrasjen e një personi tjetër. Vetëm disa ditë më vonë, në Çarshinë e vjetër të Shkupit u rrah për vdekje një djalë 19-vjeçar, ndërsa vrasësi më vonë u dënua me nëntë vjet burg. Një nga krimet më tipike të këtij viti ndodhi në fund të prillit në Vollkovë, kur një polic ka vrarë nënën dhe gjyshen e vajzës me të cilën ka qenë në lidhje, kurse më pas e vrau edhe veten. Në Alldincë të Krushevës është zbuluar vëllavrasje, kurse në Manastir vrasje e prindërve. Pensionist nga Kërçova ishte vrarë gjatë një vjedhje në shtëpinë e tij, ndërsa një banore e fshatit Barbarevo të Strumicës u vra nga fqiu i saj. Hetimet të cilat i udhëheq policia dhe prokuroria edhe këtë vitë janë përqëndruar në vrasjet e pazgjidhura të vitit të kaluar që tronditën Shkupin. Në fillim të dhjetorit vitin e kaluar, nipi dhe daja nga Grçeci ishin vra derisa kanë drejtuar makinën. Asnjëherë nuk janë konfirmuar thashethemet se vrasjet janë kryer për shkak të një femre. Nga vrasësit dhe nga porositësit nuk ka gjurmë dhe asnjë zë as në rastin me nënën dhe djalin nga Turqia, të cilët u vranë në gjumë deri sa ishin mysafirë te dasmorët në lagjen Kozle.
Më shumë se gjysma e vrasjeve në dy vitet e fundit janë kryer me armë zjarri, të pasuara nga rrahjet dhe vrasjet me një thikë apo hekur. Në Maqedoni, viti 2013 është viti me numrin më të ulët të vrasjeve në tri dekadat e fundit-20, ndërsa më shumë vrasje janë regjistruar në vitin 2003- deri 75 viktima.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.