Shkup, 14 dhjetor – Nga aeroportet “Aleksandri i Madh” në Shkup dhe “Shën Apostul Pali” në Ohër në periudhën janar-nëntor të këtij viti kanë udhëtuar 1.661.010 pasagjerë, që paraqet rritje për 15,7 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Kjo, kumtoi sot Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, është numër rekord i pasagjerëve që kanë kaluar në dy aeroportet e Maqedonisë. Në aeroportin e Shkupit në periudhën janar-nëntor këtë vit janë regjistruar 1.524.985 pasagjerë ose për 13,9 për qind më shumë se në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kur janë regjistruar 1.338.470 pasagjerë. Përmes aeroportit të Ohrit, megjithatë, në periudhën janar-qershor të këtij viti janë regjistruar 136.025 pasagjerë, ose për 40,8 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2015 kur janë regjistruar 96.585 pasagjerë. Destinacionet më të përfaqësuara sipas numrit të pasagjerë për periudhën janar-nëntor janë: Stambolli 12,7 për qind, Cyrihu 10,1 për qind, Vjena 6,3 për qind, Bazeli 4,9 për qind, Malme 4,8 për qind dhe Londra me 4,3 për qind. “Numri rekord i pasagjerëve të transportuar, si dhe numri i kompanive të cilat operojnë me destinacione të reja është rezultat i projektit të Qeverisë për përkrahje financiare për nxitje dhe zhvillim të komunikacionit ajror”, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve.