Driton ZENKU
Gostivar, 26 janar – Nga fillimi i afatit, mbi 50 pensionistë nga rajoni i Gostivarit, i janë përgjigjur thirrjes publike nga ana e Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale, në projektin për pushim dhe rehabilitim falas nëpër banjat e vendit, shkruan gazeta KOHA. Aplikimet e bëra brenda pak ditëve flasin për një tendencë në rritje në krahasim me vitin e kaluar, ndërkohë që nga Fondi për Sigurim Pensional dhe Invalidor në Gostivar ftojnë pensionistët të shfrytëzojnë afatin deri më 20 shkurt të aplikojnë për këtë mundësi që ua mundëson shteti. Për shkak se nuk do të mund që të pranohen gjitha kërkesat e aplikuara, organizatorët do të duhet t’i nënshtrohen edhe klasifikimit. Nga filiali i Fondit për Sigurim Pensional dhe Invalidor në Gostivar, përparësi do të kenë pensionistët të cilët deri tash nuk e kanë shfrytëzuar këtë të drejtë dhe që kanë të hyra më minimale. Nga Fondi për Sigurim Pensional dhe Invalidor në Gostivar, sigurojnë se përzgjedhja bëhet në mënyrë të drejtë dhe pa përjashtime të natyrave të tjera jashtë kritereve të parapara. “Ne bëjmë vetëm kompletimin e dokumentacioneve. Përzgjedhja bëhet në formë elektronike në Ministrinë e Punës dhe Politikë Sociale në Shkup. Duhet të plotësohet disa kritere. Përzgjidhen rastet të cilët kualifikon në kategorinë e rrezikuar sociale, pensionistët më të moshuar, ato që kanë stazh më të zgjatur mbi 30 apo 35 e më tepër, dhe kategoria e pensioneve të kategorisë së tretë, apo pensioneve të garantuara me lartësi minimale prej 6700 denarësh”, thotë për KOHA, Ekrem Iseini, përgjegjës i njësisë rajonale të Fondit për Sigurim Pensional dhe Invalidor në Gostivar. Për popullatën e Maqedonisë Veriperëndimore, janë caktuar banjat e Dibrës dhe ato të Katllanovës. Do të shkohet në formë të organizuar, ndërkohë që nëse vendimi i komisionit parashikon datë tjetër, pensionisti ka të drejtë të bëj kërkesa për ndryshim të datës së udhëtimit në banja sipas kërkesës së tij. Pensionistët të cilët do të duan të marrin dhe bashkëshortët e tyre në banja, do të duhet që shpenzimet për personin e dytë t’i mbulojnë vetë, ndërkohë që nëse bashkëshortët që të dy janë pensionist dhe kërkesa e tyre pranohen, atëherë do të ju jepet mundësia që bashkë dhe në të njëjtën kohë të udhëtojnë drejt banjave. Nëse njëri nga ato është pensionist dhe tjetri shfrytëzon të drejtën e ndihmës sociale, po ashtu do të kenë të drejtën e shfrytëzimit të kësaj mundësie. Njëjtë sikurse viteve të kaluara, pensionistët kërkesat e të cilëve do të aprovohet, shërbimin do të mund të shfrytëzohet nga data 15 mars deri më 15 tetor në kohëzgjatje prej shtatë ditësh. Viteve të kaluara, interesimi i pensionistët të Gostivarit dhe rrethinës për të aplikuar në projektin qeveritar, përkatësisht Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale, për pushim dhe rehabilitim nëpër banjat e vendit vitin e kaluar ishte tejet i vogël. Zakonisht, në regjionin e Gostivarit këtë të drejtë e shfrytëzojnë rreth 150 pensionistë. Vitin që lamë pas, këtë të drejtë e shfrytëzuan 170 pensionist, edhe pse aplikimet arritën në numrin 700.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.