Klubi i basketbollit Peja është i motivuar para ndeshjes së sontme ndaj KK Kozuvit, shkruan sot gazeta Zëri. Verdhezinjtë do të mundohen të dalin sa më mirë në duelin e dyfishtë çerekfinal ndaj skuadrës maqedonase, me qëllim që të kalojnë në gjysmëfinale të këtij evenimenti. Peja është skuadra e vetme kosovare që ka mbetur ende në garë në këtë kompeticion, duke i kaluar me sukses të dyja fazat e grupeve, derisa Sigal Prishtina, Bashkimi e Trepça ishin eliminuar qysh në fazën e parë të grupeve.
Pejanët e luajnë ndeshjen e parë në “Karagaç” dhe shpresojnë që aty ta krijojnë një rezultat të kënaqshëm para lojës së kthimit, e cila do të zhvillohet në Gjevgjeli pas një jave.
“Jemi mobilizuar në maksimum për ndeshjen e parë çerekfinale me Kozuvin. Dihet se ata kanë një ekip solid dhe nivel të mirë të basketbollit, mirëpo ne do të japim gjithçka nga vetja që në të dyja ndeshjet me ta të jemi pozitivë ndaj tyre dhe ta kalojmë këtë fazë”, u shpreh fillimisht për “Zërin” basketbollisti i pejanëve, Leonard Mekaj.
Përpos lojës në shtëpi, pejanët do të shkojnë për fitore edhe në duelin e kthimit, më 15 mars. “Më së miri në këtë fazë është të mos bësh kalkulime. Në të dyja ndeshjet hyjmë me mentalitetin e fituesit, për të fituar si në Pejë ashtu edhe në shtëpi të Kozuvit”, vazhdoi ai.
Ish-basketbollisti i Sigal Prishtinës i fton tifozët pejanë që ta mbështesin ekipin në duelin e sontëm. “Të gjithë jemi gati të japim gjithçka nga potenciali ynë. Natyrisht, ‘Shqiponjat’ i ftoj të jenë në numër sa më të madh dhe besoj se kjo do të ndodhë”, përfundoi ai.