Omer XHAFERI
Shkup, 6 prill – Rritja e besueshmërisë në gjyqësor, kultivimi i perceptimit të drejtë për gjykatat, zhvillimi i komunikimit të mirëfilltë me qytetarët dhe opinionin në përgjithësi, si dhe vendosja e balancit mes pavarësisë dhe përgjegjësisë së gjykatësve, janë disa nga konkluzionet të cilat Shoqata e Gjykatësve e Maqedonisë i ka konstatuar se duhet të bëhen në periudhën e ardhshme. Përmbledhja e këtyre pikave, sipas kësaj shoqate, është bërë gjatë realizimit të forumeve të ndryshme gjatë muajit të kaluar, në të cilën kanë marrë pjesë rreth 70 gjykatës dhe persona tjerë na sfera e jurisprudencës. Në njërin prej diskutimeve të cilin Shoqata e gjykatësve e ka realizuar në Gjykatën e Apelit në Shtip, thuhet se është debatuar tema “Etika gjyqësore dhe përgjegjësia e gjykatësve”, ku është konstatuar nevoja e rritjes së pavarësisë ligjore, funksionale dhe financiare. ”Në këtë forum, gjykatësit erdhën në përfundim se doemos duhet të zbatohen principet e Kodeksit në etikën gjyqësore, në drejtim të sigurimit të një gjyqësori të pavarur, i cili do ta ndjekë dhe respekton Ligjin për Gjykatës në Maqedoni, dhe në kuadër të kësaj çështje gjykatësi duhet t’i harmonizojnë standardet etike, si dhe të bëjnë promovimin e aktiviteteve gjyqësore, duke synuar sigurimin e pavarësisë në gjyqësor”, thonë nga Shoqata e Gjykatësve të Maqedonisë.
NË FUNKSION TË SIGURISË JURIDIKE
Me rastin e shënimit të “Ditës së jurisprudencës”, kjo shoqata gjatë muajit mars ka realizuar më shumë konferenca juridike, me çka sipas kumtesës së publikuar së fundmi, thonë se sfida e gjyqësorit të pavarur duhet të ngritet me avancimin e kornizës ligjore e cila do ta mundësojë një gjë të tillë. Modifikimi i procedurës dhe i kritereve për vlerësim dhe përgjegjësi disiplinore të gjykatësve, është njëra prej sferave e cila sipas pjesës dërmues të gjykatësve pjesëmarrës në këtë konferencë, duhet të përmirësohet. Njëkohësisht, ata e kanë parë të arsyeshme se në periudhën e ardhshme, duke synuar vendosjen e baraspeshës në mes pavarësisë gjyqësore dhe përgjegjësisë, gjithashtu duhet të rritet ndikimi mbi pushtetit ligjvënës, posaçërisht në pjesën e ligjeve të cilat kanë të bëjnë me gjyqësorin, përforcimin e menaxhmentit të gjyqësorit, respektivisht lidershpin e saj. Caktimi i praktikës gjyqësor si garantues për siguri juridike, gjithashtu është njëra prej konkulzave që Shoqata e Gjykatësve i ka konstatuar se duhet përmbushur në periudhën që pason. Në elaborimin e kësaj teze, thuhet se praktika gjyqësore duhet të shfrytëzohet si instrument për argumentimin e vendimeve dhe strukturimin e aktgjykimeve, në funksion të sigurisë juridike. Intensifikimi i aktiviteteve rreth përmirësimit të perceptimit të gjyqësorit, poashtu është gjetur në listën e shumë konstatimeve që i ka bërë kjo shoqatë. Ndryshe, javën e kaluar kryetari i ri i Gjykatës Supreme, Jovo Vangellovski, tha se të gjitha zhvillimet e periudhës së fundit që e përfshinë shoqërinë tonë dhe sistemin gjyqësor në përgjithësi, ndikuan në krijimin e Raportit të Pribes. Sipas tij, ky Raport përmban kritika të hapura, sugjerimet e të cilit duhet të merren parasysh, respektivisht rekomandimet nga raporti duhet të jenë udhërrëfyes për gjykatësit në periudhën që pason.
SHPËRNDARJEN E KONTESTOJNË 17 GJYKATËS
Deri te Gjykate Supreme kanë arritur 17 ankesat e para nga gjykatësit e Gjykatës Penale të Shkupit, të cilët nuk pajtohen me shpërndarjen e re të cilët së fundmi e ka bërë ushtruesi i detyrës kryetar i kësaj gjykatë, Stojançe Ribarev. Në njoftimin për media nga Gjykata Supreme kanë bërë të ditur se ende nuk kanë caktuar seancë të përgjithshme për procedimin e këtyre ankesave, për arsye se janë në pritje edhe të parashtresave tjera që mund të arrin përmes postës. Një pjesë e gjykatësve, të cilët kanë parashtruar ankesë, kësaj radhe janë shprehur pesimist për vendimin e mundshëm pozitiv nga Gjykata Supreme, pasi që ajo njëherë i pranoi ankesa e tyre, ndërsa kësaj radhe mendojnë se shpërndarje e re e gjykatësve do të hy në fuqi. Për zëvendës të tij, ushtruesi i detyrës kryetari Ribarev e ka vendosur gjykatësen Sllavjanka Jankovska, gjykatëse kjo e cila me nënshkrimin e saj i ka refuzuar të ashtuquajturat “Bomba” si dëshmi materiale në njërën prej proceseve gjyqësore që u zhvillua më herët. Ndërkohë, pranimi dhe shqyrtimi i lëndëve të propozuara nga Prokuroria Speciale Publike, nëse hynë në fuqi shpërndarja e re e gjykatësve në GJPSH, atëherë atë do të bëjnë gjykatësit Vlladimir Pançevski, Nenad Savevski, Aleksandra Pop-Stefanija dhe Elena Ilievska-Josifoviq. Për dallim prej tyre, gjykatësit me përvojë shumëvjeçare dhe me vlerësime të shkëlqyeshme, janë caktuar për procedimin e rasteve në sektorë më të ulët në këtë gjykatë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara