Urim HASIPI
Tetovë, 1 dhjetor – Prej kur ekziston njësia territoriale kundër zjarrit në Tetovë, që mendohet të jetë themeluar diku pas Luftës së Dytë Botërore e deri më tani, për herë të parë kjo njësi është pajisur me një automjet më të vogël për qasje në terrene të papërshtatshme. Para një muaji pas shumë kërkesave dhe insistimeve të njësisë së zjarrfikësve në Tetovë, Qendra për Menaxhim me Kriza, ka ndarë vetëm një automjet të këtillë, por drejtuesit e kësaj njësie thonë se një automjet i vogël nuk mjafton. “Që kur është formuar kjo brigadë kundër zjarrit, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, nuk ka pasur automjet më të vogël dhe në terrene më të vështira qasja është bërë me automjete më të mëdha dhe kjo ka shkaktuar shumë herë edhe vonesa. Po ashtu tashmë 20 vite, në Tetovë dukshëm është shtuar numri i automjeteve, rrugët gjithnjë janë më të ngushta dhe nuk ka hapësirë për të lëvizur me shpejtësi më të madhe gjatë intervenimeve që bëhen”, deklaroi Uka Aliti, nga njësia e zjarrfikësve në Tetovë. “Ne faktikisht kemi kërkuar nga Qendra për Menaxhim me Kriza që të ndajë automjete të vogla dhe për ne si njësi kundër zjarrit, sidomos kur dihet se Tetovë me rrethinë ka shumë terrene të papërshtatshme, sidomos në komunat rurale në Tearcë, Jegunoc, në Malësi, në komunë të Bogovinës, në Bërvenicë, të gjitha këto vendbanimet bashkë me Zhelinën dhe Dërvenin janë shumë vende të papërshtatshme dhe vështirë arrijmë me automjetet më të mëdha dhe nevojitet automjete më të vogla”, tha Uka Aliti, kryeshef i Njësisë së Zjarrëfikësve në Tetovë. Sipas tij, kjo nuk është mjaftueshme, sepse ndodh shpesh herë që të ketë dy apo më shumë intervenime në të njëjtën kohë.
“Normalisht se kërkesa jonë nuk ka qenë vetëm për një automjet, por për të qenë më të kompletuar dhe në nivel të kryerjes së detyrave dhe për të arritur më shpejtë nevojiten dy tre automjetet. Kemi bërë kërkesë edhe në Qeveri edhe në Qendrën për Menaxhim me Kriza dhe ata mezi e ndanë një automjet, i cili është shumë i përshtatshëm për intervenime në viset më të larta sidomos në vendbanimet malore. Kemi vështirësi dhe probleme me makinat tona për arsye se nuk kemi makina tereni. Nuk kemi makina që janë të përshtatshme posaçërisht për terrene si në Malësinë e Sharrit dhe nëpër rrugicat e Tetovës. Ne e kemi si problem mungesën e makinave të vogla pasi që me makinat e mëdha që kemi në dispozicion nuk mund të lëvizim lirshëm për shkak të komunikacionit të dendur në Tetovë”, thotë Aliti. Ndryshe, pas Shkupit, njësia territorial kundër zjarrit është e dyta në vend që mbulon një territor kaq të madh, ndërsa jozyrtarisht mësohet se automjete të ndryshme që kanë ardhur si donacion pas vërshimeve nga vende të ndryshme, janë shpërndarë nëpër njësi tjera të zjarrfikësve të Maqedonisë Lindore, kurse asnjë automjet nuk i është ndarë njësisë së zjarrfikësve në Tetovë, edhe pse kjo njësi ka bërë kërkesë që t`i ndahen disa automjetet për terrene më të vështira.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.