Laura PAPRANIKU
Shkup, 27 prill – Përgatitjet për regjistrimin e studentëve të rinj kanë vënë në lëvizje universitetet, respektivisht anën promocionale të ofertave të tyre si dhe gjetjen e mekanizmave për promovimin e mundësive që u krijojnë studentëve karrierën e tyre profesionale, shkruan gazeta KOHA. Brenda kësaj logjike, në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë (UEJL) është organizuar të mërkurën Panairi i karrierës, i 12-ti me radhë. Ndërkaq, Universiteti i Tetovës (UT) ka zgjedhur të prezantojë ofertën akademike 2017/2018 në kuadër të Ditës së hapur, që do të mbahet të enjten, më 27 prill. Këtu, sikurse njoftojnë nga UT-ja, do të prezantohen edhe disa kompani ushqimore me produktet e tyre. Panairi i karrierës që në UEJL u mbajt të mërkurën, sipas Qendrës me të njëjtin emër, “është një rast shumë i mirë për takime të drejtpërdrejta të studentëve me rreth 40 kompani të ndryshme, të cilët janë edhe punëdhënësit potencial të studentëve në Maqedoni”.
I pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe zëvendëskryeministri, Festim Halili, i cili tha se tani më shumë se kurrë perspektivat e karrierës së të rinjve varen nga kompetencat dhe qëndrimet pozitive që ata fitojnë nëpërmjet edukimit dhe trajnimeve.
“Për të mprehur përparësitë konkurruese dhe për të kapërcyer sfidat e ardhshme, duhet t’i pajisim të rinjtë tanë me aftësitë dhe njohuritë përkatëse, në mënyrë që ata të mund të konkurrojnë dhe të lulëzojnë në skenën botërore”, pohoi Halili. Ai, vlerësoi Panairin e karrierës, për të cilin tha se paraqet një mundësi shtesë për t’i pajisur studentët me kompetencat e nevojshme dhe për t’i aftësuar për të marrjen e vendime të duhura. Zëvendëskryeministri, u bëri thirrje të gjithë partnerëve dhe aktorëve socialë të mbështesin përmirësimin e cilësisë në arsim, ndërsa rektori Zamir Dika, nënvizoi se “bashkëpunimi mes universiteteve dhe komunitetit të biznesit përbën një parakusht të rëndësishëm për të inkurajuar transferim dhe këmbimin e dijeve, për të udhëhequr inovacionin, ndërmarrësin dhe kreativitetin, që domosdo çojnë drejt nevojës për një partneritet afatgjatë për zhvillim të shoqërisë”. Kemi nevojë urgjente, plotësoi Dika, që të rreshtohemi drejt tendencave evropiane të krijimit të aleancave nacionale dhe rajonale të dijes ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë dhe biznesit. Sipas rektorit të UEJL-së, ky partneritet është i rëndësishëm për universitetet sepse vetëm në këtë mënyrë mund të nxisim inovacionin dhe kapacitetin ndërmarrës dhe kështu bashkërisht të punojmë për t’i përshtatur të diplomuarit tanë me vendin adekuat në tregun real të punës.
Takimi i studentëve me përfaqësuesit e kompanive pjesëmarrëse në Panair realizohet në prani të mësimdhënësve të cilët kanë jo vetëm rolin e mbikëqyrësve, por edhe të këshilluesve për studentët. Në rast të përputhjes së interesave, Panairi i karrierës mund të shënojë për studentët hapin e parë drejt sigurimit të një punë nëse kjo është në interes të palëve. Prandaj, Qendra për karrierë e UEJL-së i kishte këshilluar studentët që të marrin me vetë CV e printuara, që të aplikojnë te kompaninë ku dëshirojnë të kryejnë mësimin praktik dhe të vazhdojnë më tej punësimin. I gjithë aktiviteti është zhvilluar për 60 minuta dhe pas kësaj studentët dhe profesorët kanë mund të vazhdojnë mësimin. Për studentët nga Shkupi, ishte organizuar transport falas.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara