Shkup, 12 dhjetor – Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura të dielën, sipas rezultateve përfundimtare del se dy partitë më të mëdha maqedonase – VMRO dhe LSDM, së bashku kanë për 123 mijë vota më shumë zgjedhjet e vitit 2014. Gazeta KOHA ka analizuar këtë fenomen ku rezulton se janë tre arsye për shtimin e votave për dy partitë maqedonase. E para është jehona e votuesve, e cila është për 4 për qind më e lartë se zgjedhjet e vitit 2014. Kjo, në shifra do të thotë se në këto zgjedhje kanë votuar 71.000 votues më shumë se në zgjedhjet e kaluara. Arsyeja tjetër është zvogëlimi i votave të “djegura” nga partitë e vogla maqedonase që në këto zgjedhje është për 25 mijë më e vogël se zgjedhjet e kaluara. Në zgjedhjet e të dielës, partitë e vogla maqedonase morën gjithë së bashku 51.551 vota, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2014, gjithë së bashku kishin marrë afër 76 mijë vota. Arsyeja e tretë është vota shqiptare që shkoi për partinë e Zaevit, që sipas parashikimeve tona, bazuar në krahasimin e rezultateve të LSDM-së në komunat shqiptare në vitin 2014 dhe 2016, del se për partinë e Zaevit kanë votuar afërsisht 26 mijë shqiptarë. Për kaq vota është më i vogël edhe totali i votave shqipe në këto zgjedhje krahasuar me ato të vitit 2014. Gjithë së bashku – BDI, BESA, Aleanca për Shqiptarët dhe PDSH, në këto zgjedhje kanë marrë 211.847 vota, ndërsa në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014 – BDI, PDSH dhe RDK kishin marrë 236.227 vota. Afërsisht kaq vota shqiptarët kishin edhe në vitin 2011, kur BDI, PDSH, DR, dhe RDK morën 237.822 vota.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.