Pas më shumë se dy muaj , rikthehen emocionet e Ligës së Kampionëve me ndeshjet e para të 1/8 së finales. Në mesin e 16 skuadrave të kësaj faze të garave, 6 prej tyre kanë shijuar titullin e kampionit, ndërsa të tjerët ende ëndërrojnë këtë titull prestigjioz. Sot (e martë), në Lisbonë, Benfika do të testojë Borusia Dortmundin, ndërsa Paris Sen Zhermeni do të jetë nikoqir përball Barcelonës, në njërën nga ndeshjet më nxitëse të kësaj faze.
Tiago Silva (nuk luajti të premten kundër Bordeaux dhe do të mungojë edhe kundër Barcelonës) megjithatë ka folur në prag të sfidës së “Champions”, dhe paralajmëron shokët se për të ndaluar “tridentin” e Barcelonës ka vetëm një rrugë: t’i lutet Zotit. “Është pothuajse e pamundur për t’i ndaluar ata. Më e mira është të mos kenë topin në këmbë dhe për këtë do t’i lutemi Zotit. Me një fjalë, si do ta përshkruaja Messin? Mjeshtër. Po Suarezin? Matador. Nejmarin? Fantastik. A është ndonjë prej tyre, që ma komplikuar jetën në fushë? Po, Mesi. Ai është një sulmues, që më ka krijuar shumë dhimbje koke, për shkak se ka shumë aftësi me topin, është shumë i shpejtë, shumë i paparashikueshëm. Edhe të mos i japësh asnjë hapësirë , ai mund të krijojë rrezik. Eshtë mjeshtri i Barcelonës, vepron në mënyrën që dëshiron”, u shpreh Silva. Ai shpreson se herën e tretë do të kenë fat. “Në spanjisht ka një shprehje, që thotë se ‘hera e tretë është me fat’. A e shoh të mundur ndaj Barcelonës? Shpresojmë (qesh). Vërtet shpresoj kështu, sepse prej kohësh në rrugën time mungon një sukses, edhe kur luaja me Milanin, edhe tashmë me PSZH-në. Fituam një herë, me rezultatin 3-2, por unë nuk isha në fushë. Në ndeshjet e tjera kam provuar pakënaqësinë e të eliminuarit. Shpresojmë shumë se do të jetë ndryshe këtë vit. Skuadra është e përgatitur shumë mirë, e ka filluar vitin 2017 me fitore të rëndësishme dhe shpresoj ta ruajmë këtë linjë, sepse për të fituar ndaj Barcelonës duhet të jesh 100 për qind. Nuk mund të bësh gabime, sepse ajo. Është shumë e vështirë ndaj një skuadre që nuk ka vetëm një lojtar yll. Fjala vjen, nëse markon Iniestën, të bën gjëmën Buskuets”, shtoi më tej mbrojtësi brazilian, për të vazhduar më pas: “Nëse bllokon Mesin, prite golin nga Nejmar apo Suarez. Barcelona ka lojtarë shumë të zgjuar, ndaj na duhet përqendrim shumë i lartë, sa më pak gabime dhe t’ia minimizojmë sa mundet posedimin e topit. Ne si PSZH mund të futemi tashmë te klubet e mëdha në Evropë, nisur nga investimet e kryera, por në praktikë është e vërtetë se na duhet të arrijmë të paktën një gjysmëfinale në ‘Champions’. Si është të luash kundër një “tridenti” si Messi-Suarez-Neymar? Do të kemi shumë punë, nuk do të marrim dot frymë asnjë minutë (qesh). Një duhet të përgatitemi mire, në mënyrë që ata të mos kenë një natë të madhe. Në të kundërt, është shumë e vështirë për çdo mbrojtje”, deklaroi Silva.
Ndryshe, në tre takimet e deritanishme në fazën eliminatore, Barcelona ka qenë më e suksesshme , duke eliminuar 2 here skuadrën franceze. Vendasit kërkojnë hakmarrje për disfatën e fundit me 3-1 në Paris dhe shpresojnë që të përsërisin vitin 2014 kur mundën skuadrën katalunase me 3-2. Mysafirët do të jenë pa Havier Maskeranon , por edhe pa Aleiks Vidalin, i cili u lëndua në sfidën e fundit ndaj Alavesit dhe do të mungojë në 6 muajt e ardhshëm.
Ndërkohë, në përballjen tjetër, Benfika do të pret skuadrën e Borusia Dortmundit. Të dyja ndeshjet e para ta 1/8 së finales, do të zhvillohen në ora 20.45.