Shkup, 6 nëntor – Investitorët e huaj vitin e kaluar në Maqedoni kanë investuar vetëm 12.4 milionë euro të fitimit, ndërsa kanë derdhur jashtë shtetit shumën prej 187.4 milion euro, duke mos shfrytëzuar lehtësimet e ndryshme fiskale që i ofron shteti për ri-investimin e kapitalit. Pjesa më e madhe e të hollave të fitimit janë transferuar, respektivisht 164 milionë euro në Francë, pason Britania e Madhe me 45,4 milionë euro dhe Hungaria me 31 milionë euro. Në të njejtën kohë, top tre investitorët në Maqedoni në vitin e kaluar sipas vendit të origjinës kanë qenë nga ishujt e Bermudeve me 181 milionë euro, pasojnë Shën Vinsenti me 49.5 milionë euro dhe Gjermania me 32.5 milionë euro. Ekonomistët theksojnë se arsyeja kryesore se pse një pjesë e konsiderueshme e investimeve të huaja është lidhur me off-shor destinacionet, gjegjësisht ishujt e ndryshëm, është fakti se atje paguhen shumë më pak tatime në raport me shtetet evropiane, andaj edhe mjaft afaristë ruajnë të hollat e tyre në këto ishuj ekzotik. Vlerësohet se qëllimi kryesor i hapjes së kompanive të tilla off-shor është mbrojtja e privatësisë dhe biznesit, mundësimi i afarizmit global, që nuk është i mundur me kompanitë vendore. Edhe pse nuk dihet se cilat kompani e kthejnë fitimin tek kompanitë amë, megjithatë sipas veprimtarisë, me 104 milionë euro prijnë kompanitë e xehetarisë, të pasuara nga sektori financiar me 22 milionë euro, ndërsa në vendin e tretë me 25 milionë euro renditet sektori i prodhimtarisë së veturave.
Sipas këshilltarit investues, Xhon Jonovski, vendimet e investitorëve të huaj që të kthejnë dividendat ndaj kompanive amë vjen në kohë të trendeve negative në ekonominë globale… (më gjerësisht në numrin e nesërm të gazetës KOHA)
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.