Shaban JASHARI
Në janar të vitit 2008 pata bërë një vështrim mbi situatën e rënduar në Lindjen e mesme, ku duke i analizuar operacionet ushtarake Izraelite në rrethin e Gazës, çuditërisht po thosha se konflikti shumëvjeçarë Arabo-izraelit kishte gjasa të lë në harresë tragjedinë palestineze në raport me atë që po e priste këtë regjion e më gjerë. Dhe nuk vonoi shumë, ndodhi “Pranvera arabe” që kishte kapluar Tunizinë, Libinë, Egjiptin, për të implikuar më pastaj edhe shtetet tjera arabe. Republika Arabe e Sirisë, që tani më 5 dekada po udhëhiqej nga një regjimi totalitarë i familjes Asad, po përjeton kulmin e kësaj krize. Rebelimi gjithë-popullor për rrëzimin e kësaj dinastie po intensifikohej gjithandej, por ushtria e fuqishme e regjimit po shtypte me forcë masat e popullit që kërkonin përmbysjen e këtij regjimi. Me krijimin e frontit popullor “Ahrar al-Sham” (Çlirimtarët e Shamit) dhe “Xhejsh al-hurr” (Ushtria e lirë), gjithnjë e më shumë po i afrohej fundi sundimit të Bashar al-Asad.
Në momentet vendimtare, kur ushtria e lirë siriane, e ndihmuar edhe nga dezertues të shumtë të ushtrisë së regjimit, po avanconte drejt suksesit final- çlirimin e vendit, vrullin e këtij avancimi në momente vendimtare do ta komplikoj infiltrimi i pjesëtarëve të ISIS dhe formacioneve ekstremiste si fronti “Al-nusra” e tjerë. Kjo situatë shkaktoi kaos, duke e devalvuar luftën primare, atë të çlirimit të vendit, me atë të kauzave kuazifetare. Interesat gjeopolitike, nga kjo situatë e krijuar gjetën rastin për ta intensifikuar konfliktin me përmasa edhe më të tragjike. Kjo u bë e mundshme edhe në saje të amullisë së botës arabe dhe regjimeve mesjetare të tyre.
Rivalitetet e përhershme intra-islame, kryesisht ato perso-arabe u rishfaqën në skenë me kthimin e Ajatullah Homeinit nga ekzili i tij disavjçarë në Francë. Fill pas emërimit të Homeinit për udhëheqës shpirtëror të Iranit, erdhi deri te konflikti irako-iranian, që zgjati mbi shtatë vjet dhe që i shkaktoi viktima e humbje të mëdha në këto dy vendeve fqinje. Republika Islamike e Iranit, e udhëhequr nga Ajatullahët shiitë, agjendë kryesore kishte mbajtjen dhe influentimin e elementeve shiite në vendet arabe. Forcimi ekonomiko-ushtarak i Iranit, me kalimin e kohës, shtriu ndikim të fuqishëm te popullsia shiite e Irakut, Libanit, Sirisë, Bahreinit, Jemenit e gjithandej ku ata jetojnë. Kjo situatë do të çonte deri te radikalizimi i këtyre elementeve që i paraprinë zhvillimeve të konflikteve të mëvonshme me përmasa fatale në regjion.
Paradoksi i këtyre luftërave qëndron në faktin se muslimanët kurrë nuk arritën t’i tejkalojnë zënkat e tyre sektare, që nga vrasja e kalifit të fundit të shtetit të Profetit Muhamed, imam Aliut në vitin 661. Rivaliteti për trashëgiminë e Kalifatit pati epilog tragjik për familjarët, djemtë e nipat e Profetit, imam Hasanit e imam Husejnit. Luftërat për trashëgiminë e fronit të shtetit të Profetit Muhamed, edhe sot e kësaj dite janë shkas i armiqësive mes sunitëve dhe shiitëve. Për pasojë, këto antagonizma intra-muslimane edhe sot e kësaj dite po bëhen shkas i luftërave që aktualisht po ndodhin gjithandej, si në Siri, Irak e Jemen. Të dyja palët pretendojnë dominimin e botës Islame dhe kontrollin mbi vendet e shenjta, Mekës e Medinës.
Përgjegjësia për mostejkalimin e këtyre ndasive shekullore bie mbi “ulematë” (dijetarë islam) të secilës palë, sidomos atyre sunit, që u ishin vegla të udhëheqësve despotë arab, të cilët me shekuj shtypën dhe diskriminuan pakicën shiite. Pas rënies se Perandorisë osmane shumë shiitë qenë detyruar ose të “konvertoheshin” në sunitë ose të mos predikonin haptazi sektin e tyre, sidomos ato të vendeve të Gjirit Persik, si në Arabinë Saudite, Irak, Bahrein, Jemen etj. Spekulohet se shiitët përbejnë 10-15% të botës islame, por që shifra reale nuk është ditur asnjëherë nga shkaqet që u përmendën më lartë.
Rivalitetin dhe mos-tolerancën ndërsektare të muslimanëve, Rusia e Putinit e shfrytëzoi për bërjen e aleancës së heshtur me Iranin dhe elementeve alevite (shiite) në vendet tjera si: Siri, Liban e Jemen. Irani me aleatin e saj, Rusinë e fuqishme, ndikoi në forcimin e regjimit të Asadit dhe lidhjet e tij me Hezbullahin e Libanit, huthët e Jemenit dhe shiitët e Irakut. E gjithë kjo solli deri te luftërat e përgjakshme me parametra mesjetare gjithandej në Lindjen e Mesme dhe Gadishullin arabik. Koalicioni sunit i Emirateve të Bashkuara Arabe, Arabisë Saudite, Katarit e Bahreinit, nuk po bënë gjë tjetër, pos atë që Asadi po bënë në Halep, apo ushtria irakiane në Mosul. Dallimi qëndron në atë se aleanca e arabe dhe ushtria irakiane po përkrahen nga amerikanët, ndërsa Irani, Siria e Hizbullahu nga rusët.
Kjo luftë “vëllavrasëse në Siri synim final ka marrjen e kontrollit sunit të Qabesë nga ana e shiitëve dhe se ka gjasa të zgjasë deri në shkatërrim. Ndërkohë Hixhazi (Meka e Medina) do ngelë po aty ku është. Përqendrimi në këto fronte do bëjë që arabët të harrojnë Palestinën, ndërsa homeinistët të heqin dorë nga “zhdukja” e shtetit hebre.
Strategët botëror të luftë-nxitjeve, për interesa të veta shkaktuan katandisjen e religjioneve monoteiste gjithandej nëpër botë. Pasi që patën sukses në demonizimin e Islamit si fe monoteiste, tani po i mësyjnë religjionit më “paqësor” te planetit – Budizmit. Ngjarjet e fundi në Myanmar, Tajlandë e gjetiu, atje ku po ndodhë terrori ndaj pjesëtarëve të pakicave muslimane, dita-ditës po shënon një implikim të ri të luftënxitësve për eksploatim të mëtutjeshëm dhe krijimin e gjeopolitikave të reja në botë.
(Autori është diplomat dhe ish-ambasador në Katar)