Para 33 viteve Sarajeva ka qenë ëndrra e sportistëve të cilët kanë dashur që të dëshmojnë aftësitë e tyre duke ëndërruar që edhe të rrëmbejnë medalje në Lojërat Olimpike, gjë të cilën disa prej tyre edhe e kanë arritur. Kështu Sarajeva bëhet qendër edhe për gazetarët dhe fotografët të cilët kishin shkuar që të ruanin copëza të kësaj ngjarje. Kështu Lojërat Olimpike apo Lojërat Olimpike dimërore të cilat për herë të parë janë mbajtur në vitin 1924 në Chamonix në Francë, për edicionin e tyre të 14-të zhvendosen në Sarajevë, qytet në Bosnjë. Lojërat të cilat zgjatën prej 8 shkurtit deri me 19 shkurt mblodhën 1 mijë e 272 atletë nga 49 vende për të garuar në 10 disiplina të ndryshme. 274 atletë femra dhe 998 atletë meshkuj u bënë pjesë e Lojërave Olimpike Dimërore të cilat u shpallën të hapura nga presidenti i atëhershëm i Jugosllavisë – Mika Špiljak në ceremoninë e cila ishte mbajtur në stadiumin Asim Ferhatović. Mirëpo për Jugosllavinë lojërat kishin më shumë kuptim. Për Jugosllavinë, lojërat demonstronin vazhdimin e vizionit të Josip Broz Tito “Vllaznim-bashkim” pasi që shtetet e atëhershme të Jugosllavisë paraqiteshin me një ekip të bashkuar. Aty hynin Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia dhe dy krahinat autonome, Kosova dhe Vojvodina. Jugosllavia para 33 viteve ka qenë shteti i dytë komunist ku janë mbajtur Lojërat Olimpike pasi që në vitin 1980 ato ishin mbajtur edhe në Bashkimin Sovjetik. Sidoqoftë në Lojërat Olimpike në Jugosllavi kishin marrë pjesë edhe shtetet perëndimore përderisa disa shtete i kishin bojkotuar ato që ishin mbajtur në Moskë. Bojkotimi kishte ardhur si arsye e kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës të cilat kishin paralajmëruar bojkotimin në qoftë se Bashkimi Sovjetik nuk tërhiqet nga Afganistani.