Zejnulla VESELI
Shkup, 27 shkurt – Panairet që organizohen çdo vit në Maqedoni janë një mundësi e mirë për bizneset private t’i informojnë klientët për prodhimet e tyre cilësore dhe njëherësh, panairi luan një rol të rëndësishëm për konsumatorët që për së afërmi të njoftohet me prodhimet që ofron sektori privat. Abedin Murati, pronar i kompanisë për prodhimin e mobileve “Molika”, i cili për çdo vit është prezentë kur mbahet Panairi i Mobileve, thotë për gazetën KOHA se në momentin kur prodhuesi dhe konsumatori në mënyrë direkte mësojnë për cilësinë dhe prodhimet që i punon sektori privat, luan rol të rëndësishëm që në të ardhme sektori privat të rrisë zhvillimin e veprimtarisë pavarësisht se cilit sektor i takon. “Ekspozimi i prodhimeve në panairet vendore, si dhe ato ndërkombëtare, janë një ndihmesë e madhe për biznesin privat dhe dukshëm ndihmon në rritjen prodhimtarisë së kompanisë si dhe përmirësimin e cilësisë së produkteve të reja në të shumtën e rasteve bazuar në kërkesat dhe shijet e konsumatorit”, thotë Murati. Mënyra më e mirë që një firmë private të kuptoj se biznesi i tij çmohet dhe është i suksesshëm, Murati thotë se ekspozimi i prodhimeve në panairi e veçanta e këtij aktiviteti është se promovohet partneriteti dhe krijohen raporte të reja me një qasje dhe vizion të ri me konsumatorët, i cili më pas mund të jetë model që biznesi privat, sidomos ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të përmirësojnë cilësinë e prodhimeve të tyre. “Gjatë mbajtjes së panaireve që mund të zgjatin nga 3 e deri më 10 ditë, në mënyrë direkte dëgjojmë nga konsumatorët se cilat janë kërkesat e tyre sa u përket prodhimeve që i ekspozojmë, si dhe në të njëjtën kohë – mbajtja e panaireve ndonjëherë luan rol kyç sa i përket dialogimit me bizneset tjera për mundësi të bashkëpunimi në të ardhmen”, thotë për KOHA, Murati. Ndërkaq sa i përket çështjes se sa është e lehtë një firmë private t’i ofrojë vetvetes një luks që të huazon hapësirë në panair për të ekspozuar prodhimet e saja, Murati thotë se nëse ka dëshirë dhe vullnet – gjithçka është e mundur. “Mund të thuhet se çmimi për të huazuar hapësirë në panair është pak i lartë, mirëpo me vetë pjesëmarrjen në panair, do të thotë se firma ekziston, punon dhe kërkon që të zgjeron edhe më shumë veprimtarinë e saj. Sa i përket çmimit për vendin që dëshirojmë ta huazojmë për të ekspozuar prodhimet, për ne si kompani që çdo vit jemi pjesëmarrëse në panaire – nuk paraqet fare problem. Është interesant se në panairet që organizohen në Maqedoni, edhe përkundër çmimit të lartë për të siguruar një vend, një numër i konsiderueshëm i firmave shqiptarë janë pjesëmarrëse të rregullta në gjitha panairet që organizohet brenda një viti kalendarik”, thotë Murati, pronat i fabrikës për prodhimin e mobileve “Molika” nga Tetova. Pjesëmarrja e kompanive nëpër panaire, sipas Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore (OEMVP), paraqet një mundësi për të njohur jo vetëm nevojat e tregut, por edhe mundësi bashkëpunimi me kompani nga vendet e ndryshme. “Megjithatë, ne duhet ta pranojmë që vetëdija e kompanive tona, me theks të veçantë kompanitë e vogla dhe të mesme, për pjesëmarrje nëpër panaire – akoma nuk është në nivelin e kënaqshëm”, thonë nga OEMVP-ja. Kjo, sipas OEMVP-së, ndodh për dy arsye: e para, sepse niveli i vetëdijes për vlerësimin në pjesëmarrje nëpër kompani nuk është në nivelin që kjo prezencë të konsiderohet si mundësi për bashkëpunime dhe e dyta, pjesëmarrja nëpër panaire konsiderohet kosto dhe jo investim për biznesin. “Padyshim që ka dhe kompani që vlerësojnë pjesëmarrjen në panaire, por në kushtet edhe të një situate të rënduar ekonomike, vlerësoj që interesi për pjesëmarrje nëpër panaire është shumë poshtë në listën e prioriteteve për kompanitë”, thonë nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore. Ndryshe nga data 28 shkurt ( të martën) hapet edicioni 14-të i Panairit ndërkombëtar për ndërtimtari, materiale ndërtimore dhe mekanizëm ndërtimor, ku do të marrin pjesë 100 ekspozues të drejtpërdrejtë dhe 200 ekspozues jo të drejtpërdrejtë. Gjatë këtij panairi, për herë të parë sivjet ekspertët nga sfera e efikasitetit energjetik do t’i prezantojnë masat dhe përfitimet nga sistemet dhe metodat e vendosura për kursimin energjetik, ndërsa do të prezantohen edhe disa banka të cilat do t’i njoftojnë vizitorët me shërbimet që i ofrojnë për kredi banesore. Panairi do të jetë i hapur çdo ditë pune nga ora 10:00 deri në orën 19:00, ndërsa çmimi për hyrje do të kushtojë 80 denarë për vizita individuale.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.