Zejnulla VESELI
Shkup, 12 gusht – Qeveria e Maqedonisë ka miratuar informatën e Ministrisë së Punëve të Brendshme për nevojën e përgatitjes së Strategjisë për përforcimin e kapaciteteve për ndjekjen e hetimeve financiare dhe konfiskimin e pronës si dhe planin aksionar për zbatimin e kësaj strategjie, shkruan gazeta KOHA. “Qeveria në seancën e fundit miratoi informacionin e Ministrisë së Punëve të brendshme për përgatitjen e strategjisë për përforcimin e kapaciteteve për ndjekjen e hetimeve financiare dhe konfiskim të pronës si dhe planin aksionar për zbatimin e kësaj strategjie. Pikërisht për këtë, Qeveria angazhon Ministrinë e Drejtësisë dhe të Financave, Drejtorinë për të ardhura publike, Drejtorinë doganore, Drejtorinë për polici financiare, Drejtorinë për zbulim financiar, të dorëzojnë nominime për anëtarët e grupit punues për përgatitjen e strategjisë”, thotë Mile Boshnjakovski, zëdhënës i Qeverisë së Maqedonisë. Meqë bëhet fjalë për informatë e jo për miratim të strategjisë, ai thotë se përmbajtja si dhe plani aksionar se si do të zbatohet kjo strategji do të dihet pasi Ministria e Punëve të Brendshme së bashku me grupet punuese do të përgatisin Strategjinë për përforcimin e kapaciteteve për ndjekjen e hetimeve financiare dhe konfiskim të pronës. Përgatitja e strategjisë dhe zbatimi i kësaj strategjie do të jetë në kompetencën e MPB-së dhe se për afatet kohore se si kur dhe do të zbatohet, është detyrimi i MPB-së”, thotë Boshnjakovski. Toni Angelovski, zëdhënës i MPB-së, konfirmon se qeveria në seancën e fundit ka miratuar informatën e MPB-së për nevojën e përgatitjes së Strategjinë për hetime financiare dhe konfiskim të pronës. “Strategjia për përforcimin e kapaciteteve për ndjekjen e hetimeve financiare dhe konfiskim të pronës, me planin aksionar ka për qëllim zbatimin e të njëjtës për shkak detektimeve të disa mangësive në udhëheqjen e hetimeve dhe konfiskim të pronës. Me strategjinë duhet të planifikohen veprimet strategjike për udhëheqjen e hetimeve financiare dhe konfiskim të pronave, e cila do të jetë në drejtim të eliminimit të gjitha pengesave të deritanishme që janë hasur gjatë hetimeve financiare dhe konfiskim të pronës”, thotë Angelovski, zëdhënës në MPB. Ndryshe, Ligji për hetime financiare dhe konfiskim të pronave është në funksion nga viti 2009 dhe lejon konfiskim dhe mbikëqyrjen e të gjitha llogarive bankare si dhe përcjelljen e rritjes së pronave, duke pamundësuar kështu që personat të cilët në mënyrë jo ligjore kanë rritur shumën e parave në llogaritë bankare apo kanë rritur pronat e tyre, në të ardhmen të mos mund ta fshehin në rast se u ngrihet pasuria e tyre. Edhe pse ligji është në funksion pothuajse një dekadë, sipas të dhënave të fundit të Agjencisë për menaxhim me konfiskim të pronave, vetëm tre vitet e fundit janë miratuar 88 vendime gjyqësore për konfiskim të pronës për shkak të fshehjes së tatimeve, por jo edhe për vepra siç janë tregtimi me njerëz, armë apo drogë, ndërsa shitja e kësaj prone të konfiskuar ka arritur vlerën prej 130 mijë euro. Konfiskim të pronës apo ngrirje të llogarive bankare në tre vitet e fundit, sipas analizave të Agjencisë për menaxhim me pronat e konfiskuara, ka pasur për Lube Boshkovskin, lider i partisë “Të bashkuar për Maqedoninë”, për financim të paligjshëm të fushatës zgjedhore në vitin 2010, i cili njëherit është politikan i vetëm që për këtë vepër u dënua me burg në kohëzgjatje prej 7 viteve. Prona i është konfiskuar edhe Sllobodan Bogoevskit, ish drejtorit të Drejtorisë për sigurim dhe kundërzbulim, për kryerje të veprës penale “larje parash dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe fshehje tatimi”. Për të njëjtën vepër prona u është konfiskuar edhe dy avokatëve. Konfiskim të pronës ka pasur edhe për kryetarin e komunës se Karposhit, Sasha Dimiq, për kryerje te veprës penale “keqpërdorim të pozitës zyrtare”. Konfiskim të pronës në të kaluarën ka pasur edhe për të dënuarit në rastin “Stanet”, për personat e përfshirë në privatizmin e firmave shtetërore “EMO”, “Sllavija”, “Biserka” dhe të disa aksionarëve të shoqatës “Agroplod”. Gjithashtu ngrirje të pronës dhe llogarive bankare ka pasur edhe për 35 mjekë, për veprën penale “përfitime të paligjshme të pronave”. Ndërsa, për dy rastet, gjegjësisht të aferave piramidale me kursimoren “TAT” të Sonja Nikolovska, të cilës aspak nuk ju konfiskua prona, por për veprën penale për keqpërdorim dhe mashtrim të qytetarëve, ajo vuajti dënimin me burg, ndërsa qytetarët edhe sot e kësaj ditë nuk janë dëmshpërblyer. Njëjtë ishte edhe në aferën e dytë me depozitat e qytetarëve në bankën e falimentuar “Eksim-Import” të Metodi Smilevskit, të cilët poashtu një numër i madh i qytetarëve edhe sot e kësaj ditë ende nuk i kanë marrë kursimet e tyre në bankën “Eksim-Import”.
GJYKATAT PENGOJNË KONFISKIMIN E PRONAVE TË PALIGJSHME
Gjykatat e Maqedonisë duhet t’i përgjigjen kërkesës së Prokurorisë Speciale për aplikimin e masës për konfiskimin e pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme, në të kundërtën qytetarët do të vazhdojnë të mos u besojnë institucioneve shtetërore, theksojnë ekspertët, duke theksuar nevojën e depolitizimit të sistemit gjyqësor. Ndërkohë që Qeveria, në bazë të propozimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka miratuar informacionin për nevojën nga përpunimi i strategjisë së Republikës së Maqedonisë, për forcimin e kapaciteteve për udhëheqje të hetimeve financiare dhe konfiskim të pronës së siguruar në mënyrë të paligjshme. Ndryshe, deri më tani prona i është konfiskuar vetëm një politikani, përkatësisht Lube Boshkoskit, drejtues i partisë “Të bashkuar për Maqedoninë”, i cili njëherësh është edhe ish-ministër i Punëve të Brendshme. Gjykatat në Maqedoni, masën për konfiskimin e pronës, kryesisht e kanë shqiptuar gjatë procesi të tranzicionit, kur prona shtetërore kalonte në duart e sektorit privat, njofton REL. Së fundmi, Prokuroria Speciale Publike, e cila ka ngritur dhjetëra padi ndaj ish-zyrtarëve të lartë të shtetit për keqpërdorimin e detyrës zyrtare, ka kërkuar ngrirjen dhe konfiskimin e pronës në shumë raste, por gjykatat i janë përgjigju pozitivisht kësaj kërkese vetëm në një rast, përkatësisht me kompaninë “Transmet”, të drejtuar nga Sead Kocan për të cilin rast ka ngritur padi Specialja.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.