Pa kontejnerë nuk selektohen mbeturinat

Shkup, 19 prill  – Pothuajse 90 për qind e qytetarëve do t’i selektonin mbeturinat nëse në afërsi të shtëpive të tyre ka kontejnerë të specializuar për këtë qëllim, tregoi hulumtimi i Pakomak. Të rinjtë më pak i kushtojnë vëmendje selektimit të mbeturinave, ndërsa prindërit mbi 30 vjeç selektojnë më së shumti, edhe atë me fëmijët e tyre të cilët mesatarisht i kanë nga 7-13 vjet. Anketa është zbatuar në shkurt të këtij viti në Shkup, Kumanovë, Manastir, Strumicë, Tetovë, Shtip dhe Ohër, ndërsa me të janë përfshirë 1.000 të anketuar prej grupmoshave të ndryshme. Është i përgjithshëm konstatimi, kumtoi Pakomak, se numri i pamjaftueshëm i kontejnerëve është shkaku kryesor për selektimin dhe riciklimin e mbeturinave.

“Hulumtimi tregoi se qytetarët në qytetet më të mëdha kanë vetëdije relativisht të lartë dhe shprehi të zhvilluara për selektimin e mbeturinave. Gjithsej 33,9 për qind prej tyre rregullisht ose zakonisht selektojnë të paktën një lloj mbeturinash. Megjithatë, Manastiri dhe Shkupi kanë përparësi dhe janë dy qytetet ku qytetarët më shumë selektojnë në krahasim me të tjerët”, informoi Pakomak. Gjithsej 66 për qind e të anketuarve kanë deklaruar se arsyeja kryesore për mosselektimin e mbeturinave është mospasja e kontejnerëve të mjaftueshëm, ndërsa vetëm 11 për qind vlerësojnë se në pyetje është mungesa e shprehisë apo vetëdijes. Sipas anketës, vetëm 17 për qind e të anketuarve kanë thënë se në afërsi të shtëpisë së tyre kanë kontejnerë selektimin e mbeturinave. (koha.mk)