Policia e Stambollit filloi operacion, në të cilin janë kyçur edhe helikopterë, lidhur me sulmin që është kryer natën e Vitit të Ri në klubin e natës “Reina” në Stamboll, me ç’rast u vranë 39 persona, njoftuan mediat turke. “Haber Turk” informon se mbrëmë vonë policia ka reaguar në një denoncim dhe filloi operacion në një shtëpi që gjendet në lagjen Zejtinburg të Stambollit. Paraprakisht, u publikua se autoritetet turke kanë konfirmuar se sulmuesi në atë pjesë të qytetit ka hyrë me taksi dhe prej atje është nisur në klubin e natës “Reina”. Autoritetet turke janë afër asaj që tërësisht ta identifikojnë sulmuesin i cili gjatë natës së Vitit të Ri vrau 39 persona në klubin e natës në Stamboll. Ekipi nga Sektori për luftë kundër terrorizimit në policinë e Stambollit ka zbuluar fotografi të re nga terroristi. Mediat turke njoftuan se në këtë fotografi nuk duket qartë fytyra e sulmuesit. Theksohet se fotografia është nxjerrë nga njëra prej videove të kamerave të sigurisë. Gjithashtu, janë marrë informacione për gjurmët e gishtërinjve dhe pamjen fizike të sulmuesit. Përgjegjësinë për sulmin në klubin e natës në Stamboll e mori Shteti Islamik, duke theksuar se kjo paraqet përgjigje ndaj intervenimit të Turqisë në Siri.