Oops! Lufta e Tretë Botërore

Nga Antonio FERRARI

Shkrimtari dhe studiuesi Andreas PIeralli, që jeton në Pragë dhe me të cilin kam patur rastin të bashkëpunoj në disa konferenca, në homazh të të madhit Vaslav Havel, më shkruan se ka shumë dyshime mbi forcën ushtarake dhe ndikimin e Vladimir Putinit në Lindjen e Mesme. Andreas citon një tabelë të saktë mbi shpenzimet ushtarake të Moskës. Shpenzime që rezultojnë më të larta se vetëm 50% të atyre të Japonisë paqësore, e cila jeton në një terirtor me dimensione modeste dhe pa burime natyrore. Sipas grafikut, vendet e NATO-s, të gjithë bashkë, arrijnë pothuaj gjysmën e shpenzimeve ushtarake botërore. Rusia, pra, do të dukej vetëm si një hirushe, pa një mburojë të përshtatshme për të mbrojtur territorin e saj gjigand dhe kënaqur ambiciet e veta. Megjithatë, kujdes! Një herë e një kohë konsiderohej vendimtar armatimi. Sot nuk është më kështu. Puna e shërbimeve të fshehtë, e manipulimit elektronik, e luftës kibernetike është bërë vendimtare. Hackerat nuk kanë kursyer askënd, duke filluar nga SHBA, dhe tani shqetësojnë Gjermaninë dhe fuqi të tjera të mesme e të mëdha. Rusia, po ta shohësh mirë, në këtë fushë është shumë e përparuar, dhe për shkak të eksperiencës në të kaluarën. Sigurisht, nuk e shqetësojnë kritikat dhe morali për të drejtat e njeriut.

Rreziku është që, në këtë botë të bërë lëmsh, e cila ka harruar historinë dhe nuk praktikon mençurinë praktike, manipulimet mund të bëhen eksponenciale, nëse shumëzohen me një gabim fatal. më ka lënë shumë mbresa një artikull-investigim i revistës “Neë Yorker”, palestër e gazetarisë më të mirë planetare, të cilën ua rekomandoj të gjithëve për ta lexuar. Ka dalë për Krishtlindje, dhe ndoshta shumëkush nuk e ka vënë re, edhe pse titulli ishte një shuplakë në fytyrë: “Lufta e Tretë Botërore, gabimisht”. Autori, Eric Schlosser, rrëfen ankthin që u përjetua orën 2.30, natën e 3 qershorit 1980, kur Qendra Kombëtare e Komandës Ushtarake sinjalizoi një alarm makthi: BRSS sapo kishte nisur një sulm bërthamor kundër Shteteve të Bashkuara. Sapo kishte filluar pushtimi rus i Afganistanit dhe marrëdhëniet mes dy superfuqive ishin të tensionuara. Ndoshta po materializohej kriza më e rëndë që prej asaj të raketave kubane, me Kennedyn dhe Hrushovin shumë pranë një konflikti shkatërrimtar dhe katastrofik. Një krizë që u kapërcye në sajë të mençurisë së të dyve. Telefonata e 3 qershorit 1980 i erdhi Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare të presidentit Jimmy Carter, Zbigniev Brzezinski, i cili padyshim ishte duke fjetur. Në anën tjetër të linjës, gjenerali Uilliam Odom e informoi atë se mbi dyqind raketa ishin nisur kundër Shteteve të Bashkuara nga nëndetëset sovjetike. Brzezinski, me ftohtësi, i kërkoi Odomit një verifikim të fundit, para se t’i telefononte Shtëpisë së Bardhë dhe t’i sugjeronte Carterit kundërsulm të menjëhershëm. Me pak fjalë, hakmarrjen e pashmangshme vdekjeprurëse. Për fat të mirë, Odomi menjëherë telefonoi sërish, për të kërkuar falje. Një gabim, një chip i vogël me defekt, që kushtonte vetëm gjysmë dollari, kishte shkaktuar alarm të rremë. Nuk është i vetmi rast i ngjashëm. Të tjerë kanë ndodhur edhe në kohë të mëvonshme, por të paktën ekzistonte garancia që burra të përgjegjshëm, dhe të shkathët në kuptimin e gabimit të mundshëm, kanë ruajtur nervat e forta, pavarësisht sulmeve verbale paka  shumë propagandistike mes dy palëve, si për shembull Shtëpia e Bardhë dhe Kremlini. A jemi të sigurt që sot nuk do të mbizotërojë vrulli fatal dhe tragjik? (Sette)