Sot në sallën e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, u hap ekspozita e përhershme personale e piktorit me famë botërore, Omer Kaleshi. Në të vërtetë, 24 veprat artistike të Kaleshit, janë dhuratë e vetë piktorit për atdheun e tij. Ato javën e kaluar u ekspozuan në Galerinë Kombëtare të Maqedonisë, ndërsa prej sot do ta stolisin këtë sallë të Institutit, derisa të krijohet një galeri e veçantë në objektin e ri të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, e cila do ta mbajë emrin “Omer Kaleshi”. Për këtë, u nënshkrua edhe një marrëveshje mirëkuptimi. Drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, Skender Asani, theksoi se është nderim i veçantë për Institutin, që një emër i madh i artit pamor me vlera të jashtëzakonshme artistike, ekspozon në Institutin tonë, të cilat do të ruhen si një thesar i veçantë kulturor. Një kontribut të veçantë në realizimin e këtij projekti, ka dhënë edhe Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë, me angazhimin e sekretarit shtetëror, Behixhudin Shehapi, i cili duke çmuar lartë veprën artistike të piktorit Omer Kaleshi, tha se me këtë aktivitet rrumbullaksohet “Java e Omer Kaleshit”, i cili ka shprehë dëshirën që atdheut të tij t’ia dhuron këto 24 vepra të çmueshme artistike. Edhe rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Azis Pollozhani, theksoi nderimin e madh që i bën Shkupit dhe gjithë Maqedonisë piktori me famë, i cili asnjëherë nuk e ka harruar vendin e tij të origjinës. Sipas tij, Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, që në projektin ideor ka planifikuar ndërtimin e galerisë së veçantë e cila do të mbajë me krenari emrin “Omer Kaleshi”. Në emër të Komunës së Çairit, këtë event e përshëndeti kryetari i Këshillit të Komunës, Zahir Bekteshi, i cili tha se pas shpalljes si Qytetar Nderi i Komunës Çair, kjo është mirënjohje e radhës për të dhe për të gjithë ne që e nderojmë veprën e piktorit të famshëm. Më pas shkrimtari i njohur, ish-ambasadori dhe njohësi i mirë i veprave artistike të Omer Kaleshit, akademikun Luan Starova, foli gjerë e gjatë rreth jetës dhe opusit të gjerë krijues të Kaleshit. Ai prezantoi edhe disa nga vlerësimet e autorëve të njohur botërorë, të cilët kanë thënë fjalët më të mira për veprën artistike të piktorit Omer Kaleshi. Në fund, protagonisti kryesor i këtij aktiviteti, piktori i famshëm, Omer Kaleshi, falënderoi të gjithë për këtë organizim dhe nderim që i bëhet në Shkup. Ai u shpreh i kënaqur që pas hapjes së galerisë me emrin e tij në Prishtinë, tani së shpejti do të bëhet një gjë e tillë edhe në Shkup.