Urim HASIPI
Tetovë, 28 shkurt – Oborret e shkollave dhe kopshteve për fëmijë në Tetovës, janë shndërruar në çerdhe të alkoolistëve, shkruan gazeta KOHA. Në disa prej këtyre oborreve, gjatë natës konsumohet alkool dhe në disa raste edhe lëndë narkotike nga të rinj. Qytetarët janë të shqetësuar që në këto oborre ku edukohen fëmijët konsumohet alkool. Një situatë e këtillë kohëve të fundit është prezent edhe në një nga pesë objektet e Çerdhes Rinia në Tetovë, që ndodhet në lagjen Potok. E njëjta është ndërtuar para shumë dekadave dhe njëkohësisht në të kaluarën, kanë mësuar edhe disa paralele të Gjimnazit të Tetovës. Mirëpo, tash në këtë çerdhe qëndrojnë vetëm fëmijët. Disa qytetarë dhe prindër janë të revoltuar që në oborr gjatë orëve të natës qëndrojnë alkoolistët, madje dyshojnë se ka edhe narkoman.
“Jemi të shqetësuar për këtë fakt se në kopshtin për fëmijë kemi hasur në disa shishe të pijeve me alkool. Kjo është e tmerrshme, sepse aty mësojnë dhe qëndrojnë fëmijë kur dihet se me përmirësimin e kushteve klimatike fëmijët do të qëndrojnë edhe në atë oborr”, thotë Bashkimi, një banor i lagjes Drenovec. Nga ana tjetër, kjo situatë është prezent edhe në oborret e çerdheve dhe shkollave tjera në qytetin e Tetovës. Krahas kësaj situate, një tjetër është se shpesh herë vërehen edhe qentë endacak pranë këtyre çerdheve dhe kjo situatë ka bërë që prindërit vet t`i dërgojnë dhe t`i marrin fëmijët nga çerdhet që të mos i lënë vet. Megjithëse, prindërit dhe edukatoret e çerdheve të qytetit çdo herë i shoqërojnë fëmijët, megjithatë ato shprehen se përpos rrezikut fëmijët mund të pësojnë edhe trauma nga frika prej këtyre qenve. Qytetarë të shumtë ankohen se nuk janë të pakta rastet e sulmeve dhe kafshimit nga ana e këtyre qenve endacak, sidomos gjatë natës, ata shprehen të shqetësuar sidomos për fëmijët e tyre të cilët për shkak të pasigurisë duhet që t’i shoqërojnë çdo ditë për në çerdhe dhe shkollë, në kushte anonimiteti ata kërkojnë nga organet kompetente të ndërmarrin masa për këto qen përpara se të ndodh ndonjë fatkeqësi eventuale.
“Ne kërkojmë që të merren masa konkrete sepse në të kundërtën mund të pësojnë fëmijët tanë. Nuk është në rregull që fëmijët të rriten në këto ambiente edhe të papastra, por edhe ku konsumohet alkool”, thotë më tej Bashkimi.
Në ndërkohë nga Sektori për arsim kanë thënë se rastet e këtilla i denoncojnë në polici dhe presin që të merren masa që këta persona të largohen nga ambientet ku mësojnë fëmijët. Qentë endacak nuk janë problemi i vetëm më të cilin përballen çerdhet e qytetit të Tetovës, problem në vete është edhe pastërtia, por edhe mungesa këndit të lojërave ku ata do të mund të luajnë, si pasojë e mungesës së këndit të lojërave për fëmijë, ata gjatë gjithë kohës sa qëndrojnë në çerdhe qëndrojnë brenda hapësirave të brendshme të çerdheve. Gjatë ditëve në vijim pritet të dalin me prononcime dhe drejtuesit e çerdheve në Tetovë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.