Objekte afariste dhe reparte prodhuese

Vjollca SADIKU

Dibër, 28 mars – Këshilli i Komunës Dibër ka aprovuar Programin për rregullimin e tokës ndërtimore për vitin 2017, shkruan gazeta KOHA. Në përputhje me planin urbanistik dhe ligjin për tokën ndërtimore, Programi ka përcaktuar lokalitete, numrin e objekteve, burimin e financave dhe dinamikën e realizimit të Programit. Edhe këtë vit me Programin është paraparë ndërtimi i objekteve kolektive dhe individuale për banim, objekteve afariste dhe objekteve me interes të gjerë.

Me këtë dokument është paraparë një dinamik e theksuar e ndërtimit të objekteve kolektive. Sipas përfaqësuesit të sektorit për urbanizëm pranë Komunës Dibër, Gazmend Cami, me programin objektet kolektive për banim janë paraparë në lokacionet – vendbanimi Vence 2, rrugët “8 Shtatori”, “Vellko Vllahoviq” , “22 Nëntori” dhe disa rrugë të tjera në lokalitete qendrore të qytetit. Sa i takon ndërtimit individual të banesave, si lokacione janë paraparë vendbanimet Qenanicë, Venec 2 dhe disa lokalitete të tjera në pjesë të ndryshme të Dibrës. Arkitekti Gazmend Cami shton se Komuna Dibër gjatë vitit 2017, me Programin ka paraparë edhe ndërtimin e objekteve afariste, por edhe të reparteve prodhuese. Duke parë mundësitë dhe përkrahjen e biznesit, thotë ai, me Planin në fjalë si lokalitete janë paraparë – lokaliteti në kazermën ushtarake të mëparshme “Liman Kaba”, tani zona ekonomike e Dibrës, ku kryesisht ka lokacione për reparte prodhimi, kurse sa u takon objekteve afariste, ndërtimi i tyre është paraparë në pjesën qendrore të qytetit. Po sipas tij, plani për rregullimin e tokës ndërtimore në Komunën e Dibrës për vitin 2017 ka paraparë edhe ndërtimin e objekteve me karakter publik. Këta lokalitete janë paraparë me planin urbanistik, për çka është realizuar edhe elaborati dhe janë sjellë akte të tjera. Kur jemi te programi në fjalë, të theksojmë se mënyra e ndërtimit është paraparë si me normat ligjore ashtu edhe me vendimet e pushtetit vendor. Komuna Dibër për të gjithë të interesuarit ka përcaktuar përgatitjen e lokacionit për ndërtim, me çka do të jep kontribut edhe në përgatitjen sa më të shpejtë të dokumenteve të nevojshme. Në këtë plan, po ashtu, janë të përcaktuar tokat ndërtimore për instalime të objekteve në interes të komunës, të cilët i realizon pushteti vendor. Bëhet fjalë për përcaktimin e rrugëve dhe trotuareve, ndërtimin e sistemeve të vaditjes si dhe rrjetit të ujësjellësit, ndërtimin e kanalizimeve dhe rrjeteve fekale dhe artmosferike, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e ndriçimit publik , mirëmbajtjen e përmendoreve etj. Me këtë Program, siç thotë Cami, nuk është paraparë ndërtimi i rrjetit elektrik dhe distribuitiv, trafostacionet, vendosja e rrjetit kabllovik dhe rrjetit të telefonisë.

Përndryshe, Programi në fjalë është përpiluar në përputhje me interesin e banorëve të Dibrës, por edhe të sektorit të biznesit. Duke marrë parasysh se afro 1 dekadë ka një rritje të madhe të interesit për banesa kolektive, janë caktuar edhe lokacionet të cilët janë joshëse për investitorët, por edhe për qytetarët e interesuar për të blerë banesa. Sa i takon ndërtimit të banesave individuale, është marrë parasysh mundësia e lokacioneve të lira për ndërtim në vendbanimet Venc 1 dhe Venec 2 , por edhe në disa pjesë të tjera të qytetit. Ekipi i cili ka përgatit këtë Program, i cili tani më ka marrë dritë jeshile si nga komisionet e këshillit ashtu edhe nga këshilli, është i mendimit se pushteti vendor me këtë program ka dhënë mundësi të gjëra në të gjitha sferat të cilët kanë të bëjnë me rregullimin e tokës ndërtimore në komunën e Dibrës.

© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara