Vjollca SADIKU
Dibër, 9 mars – Në SHBA, Shoqata Atdhetare “Dibra” është drejt përfundimit të aktiviteteve në lidhje me realizimin e regjistrimit të mërgimtarëve dibranë që jetojnë në Amerikë, shkruan gazeta KOHA. Përfaqësues të Shoqatës në një tubim më të gjerë informuan se regjistrimi ka një domethënie të madhe për mërgatën dibrane. Është një aktivitet, i cili do t’i sjellë të mira shoqatës, mërgimtarëve, por edhe vendlindjes- Dibrës së Madhe.
Aktivisti i Shoqatës, Lavdërim Cami, i cili ka qenë edhe kryetar i Shoqatës në disa mandate, në tubimin në fjalë ka informuar mërgimtarët se realizimi i regjistrimit është në interes të mërgimtarëve dibranë. Në kontaktet që ka pasur Shoqata Atdhetare “Dibra” me pushtetin vendor të Komunës State Island, me qytetin e Nju Jorkut dhe me institucionet e tjera amerikane ka marrë përkrahje për realizimin e regjistrimit, meqë përkrahja institucionale e shtetit amerikan për shoqatën mund të realizohet vetëm si bashkëpunim me Shoqatën, e cila do të kishte një numër të caktuar të mërgimtarëve të cilët ajo i organizon. Cami në tubimin që u mbajt në State Island ka thënë se do të miratoheshin shumë projekte nga ana e shoqatës, nëse ajo kishte një numër të saktë të dibranëve të cilët sot jetojnë në SHBA. Po sipas tij, efektet do të ishin shumë pozitive edhe në aspekt të informatave që do të merren me regjistrimin që ka të bëjë me numrin e saktë të mërgimtarëve, kuadrot që ka mërgata dibrane, bizneset me të cilët merren ata dhe të dhëna të tjera që do të ishin në interes të Shoqatës. Kryetari aktual i Shoqatës atdhetare “Dibra”, Dashnor Miftari, është i mendimit se regjistrimi i mërgimtarëve dibranë në Amerikë është një hap shumë domethënës për Shoqatën dhe komunitetin dibran në përgjithësi. Miftari thotë se në një situatë kur nuk dihet numri i saktë i dibranëve në SHBA, patjetër nevojitet një regjistrim adekuat, i cili do të ishte edhe në interes të kontakteve që Shoqata zhvillon me Dibrën. Udhëheqja e re e Shoqatës, sipas tij, është tërësisht e përgatitur për regjistrimin, i cili vonohet për shkaqe të ndryshme. “Unë për këtë aktivitete shumë domethënës kam informuar edhe kryetarin e Dibrës, Ruzhdi Lata”, na ka deklaruar kryetari i Shoqatës “Dibra”, Dashnor Miftari. Përndryshe udhëheqja e Shoqatës dibrane disa herë ka debatuar rreth regjistrimit, por deri tani ka pasur edhe probleme teknike për realizimin e këtij aktiviteti. Miftari ka deklaruar se numri i mërgimtarëve dibran është mbi 15 mijë, por ne na duhet një numër i saktë, shton ai.
Aktiviteti që ka paralajmëruar Shoqata atdhetare “Dibra” në Nju Jork, është përshëndetur edhe nga pushteti vendor në Dibër. Kryetari Ruzhdi Lata thotë se regjistrimi është një moment shumë domethënës për mërgatën dibrane, por edhe për Dibrën. Ky aktivitet duhet përshëndetur dhe përkrahur, meqë me këtë do të dimë saktësisht edhe numrin e biznesmenëve të cilët kanë fuqi ekonomike për të investuar në vendlindje. Po ashtu, sipas Latës, të dhënat e regjistrimit faktikisht do të jenë një argument i fuqishëm për gjeneratat e reja të mërgimtarëve të cilët duhet ta dinë numrin e mërgimtarëve të gjeneratave të para dhe të dyta që kanë shkuar në SHBA. Duhet përmendur edhe faktin se regjistrimi do të saktësojë edhe numrin e nxënësve, studentëve dhe kuadrove të mërgimtarëve dibranë, thotë Lata.
Duhet theksuar se viteve të fundit ardhja e mërgimtarëve dibranë në vendlindje është e madhe. Fuqia e tyre materiale u mundëson që minimum një herë në vit të vizitojnë Dibrën. Një pjesë e mirë e mërgimtarëve tani më kanë blerë edhe banesat e tyre dhe është e dukshme se përforcohet lidhja e tyre me vendlindjen. Në këtë drejtim, veçmas duhet theksuar edhe faktin se është në rritje numri i të rinjve nga mërgimi, të cilët fejohen me vajza nga vendlindja, dukuri e cila gëzon prindërit e tyre që në SHBA të vazhdojnë të jetojnë me traditat e tyre kombëtare. Pushteti vendor i Dibrës dhe Shoqata atdhetare “Dibra” kanë paralajmëruar gjatë këtij viti shtimin e kontakteve, me qëllim që të rritet ndihma e mërgimtarëve në vendlindje, por njëkohësisht në Amerikë më shpesh të realizohen aktivitete kulturore të artistëve dibran para mërgimtarëve.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.