Nuk ka informacione zyrtare se është duke u anuluar nënshkrimi i marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Maqedoninë, theksoi ministrja e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva në seancën e Komisionit për Politikë të Jashtme të Kuvendit të Bullgarisë. Ajo shtoi se paraprin raund final i negociatave.
“Do të bëjmë gjithçka që është e mundur që të ndodh kjo”, deklaroi ajo, duke shtuar se qeveritë bullgare nga viti 2012 ndjekin një politikë të njëjtë lidhur me marrëveshjen për fqinjësi të mirë. Ministrja Zaharieva theksoi se kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev dhe ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov kanë përmendur për takimin në Mal të Zi, por se akoma nuk ka termin të saktë.
“Për këtë, nuk kemi informacion zyrtar se është duke u anuluar nënshkrimi, është e rëndësishme marrëveshja të dakordohet dhe të arrijmë harmonizim për tekstin”, komentoi Zaharieva. Ajo thotë se vetë ka kërkuar fjalim para Komisionit parlamentar, pasi që shpreson se kjo është një prej temave për të cilat do të kërkohet unitet nacional.
Zaharieva dot’i njoftojë deputetët me rrjedhën e negociatave, si dhe me progresin e arritur gjatë vizitës së Zaevit dhe Dimitrovit në Bullgari. Siç njofton BTA, ministrja e Punëve të Jashtme të Bullgarisë pohon se kanë ngelur për t’u korrigjuar në tekst disa detaje teknike, të cilat shpreson se do të përfundojnë kësaj fundjave.