Shkup, 30 janar – Skuadra e Shkupit të dielën udhëtoi në Ohër, ku gjatë 12 ditëve do të realizojë fazën e dytë të përgatitjeve. Derisa, sot bardhekaltërit zhvilluan ndeshjen e parë nga gjithsejtë pesë sa do ti zhvillojnë gjatë kësaj faze përgatitore në Ohër. Me rezultatin 2:0 të përzgjedhurit e trajnerit Ardian Nuhiu arritën fitore kundër anëtarit të Ligës së dytë Novaci, skuadër e cila pretendon që rikthehet sezonin e ardhshëm në elitën e futbollit vendor. Autor të golave për Shkupin kanë qenë futbollistët e rinj Fati Ismaili dhe Emannuel Mbella. Ky i fundit është duke u testuar nga stafi teknik, ndërsa te Shkupi vjen nga skuadra e Bylysit, që sezonin e kaluar nga Superliga u largua për në kategorinë e parë. Ndërkohë, në këtë ndeshje u aktivizuan edhe përforcimet tjera si Jasir Asani, Sedat Berisha dhe Bunjamin Shabani. Skuadra e Shkupit tani do të vazhdojë nga nesër me nga dy seanca stërvitore, ndërsa kontrolluesja e radhës është ajo kundër Makedonija Gj. P., që do të luhet me 2 shkurt. Cekim, skuadra nga Çairi deri më tani ka zhvilluar dy ndeshej kontrolluese, duke pësuar disfatë nga Renova 2:0, ndërsa tani ka mundur Novacin me 2:0.