Bujar KURTAJ
Shkup, 10 korrik – Pas Naser Aliu e Taulant Seferi të cilët u bënë futbollistët e parë nga Maqedonia që veshën fanellën kuqezi të Kombëtares së Shqipërisë në futboll, radhëve të kuqezinjve por në një sport tjetër, atij të hendbollit iu bashkëngjit një emër shumë i njohur, ai i Muhamed Ismailit. Në fakt trajner nga Shkupi i bë trajneri i parë shqiptar nga Maqedonia, që do të drejtojë Kombëtaren e Shqipërisë, një arritje shumë e madhe për vetë Ismailin, i cili përvojën e madhe që ka në këtë sport te KH Rinia, tani do të ketë mundësi ta përcjell edhe tek kuqezinjtë. Jeta e Ismailit ka të bëjë vetëm me hendbollin, duke ia kushtuar një jetë të tërë këtij sporti mjaftë të popullarizuar tek ne, posçërisht klubit të vetëm shqiptar për meshkuj KH Rinia. Për mënyrën se si erdhi deri te emërimi i tij në postin e seleksionuesit të Kombëtare së Shqipërisë, planet tek kuqezinjtë, aktivitetin e deritanishëm te KH Rinia si dhe jetën e tij, Muhamed Ismaili i tregon në intervistën për gazetën KOHA.
KOHA: Fillimisht na trego edhe njëherë se si arrite të emërohesh për seleksionues i Kombëtares së Shqipërisë në hendboll?
ISMAILI: Emërimi im në postin e seleksionuesit të Kombëtares së Shqipërisë erdh pas ardhjes në krye të Federatës së Hendbollit të Shqipërisë, të presidentit Nesim Jahollari dhe posaçërisht sekretarit gjeneral Armand Çakallit, ku ky i fundit bëri hapa gjigante për rilindjen e hendbollit në Shqipëri. Në fakt unë me z.Çakallin njihem që nga koha kur ai udhëhiqte Klubin e Hendbollit ‘Elbasani’ ku ne si Klubi i Hendbollit ‘Rinia’ morëm pjesë në një turnir mbarëkombëtar në Gjilan. Nga aty filloi i gjithë bashkëpunimi, më saktësisht takimi fundit në seminar të mbajtur në muajin mars në Elbasan organizuar nga Federata Evropiane e Hendbollit me Federatën e Shqipërisë. Kjo bëri që bashkëpunimi jonë të bëhet më frytdhënës dhe me fillimin e kampionatit në Shqipëri, Kryetari Federatës Nesim Jehollari së bashku me sekretarin Armand Çakalli, më propozuan mua për trajnerin e kombëtares, gjë të cilën pa menduar shumë e pranova.
KOHA: Çka paraqet kjo për ty duke marr parasysh se je trajneri i parë shqiptar nga Maqedonia, i cili do të drejtojë një kombëtare siç është ajo e hendbollit për meshkuj?
ISMAILI: Nënkuptohet që kjo për mua është privilegj dhe nder mbi të gjitha krenari, përgjegjësi dhe kurorëzimi i punës, sakrificës së palodhshme plot dyzet vite kushtuar hendbollit. Sidomos kultivimit të këtij sporti te popullata jonë shqiptare në Maqedoni pasi ky sport është numër një te popullata tjetër ndërsa tek ne shqiptarët disi ende nuk po kuptohet aq sa duhet në krahasim me sportet tjera.
KOHA: Para disa ditësh kishit edhe debutimin te kuqezinjtë. Mund të na tregosh përshtypjet e para dhe sa je i kënaqur?
ISMAILI: Nga 12 – 18 qershor në Veliko Tërnovo – Gabrovo në Bullgari nga Federata Botërore e Hendbollit për së dyti herë u mbajt kampionati për shtetet në zhvillim ku bënin pjesë 16 shtete të botës. Debutimi im i parë ishte me ndeshjen Shqipëri – Irlandë, ajo çka ka qenë ëndërr tashmë po bëhej realitet dhe po prisnim me padurim dhe me ndjenja të papërshkruara të cilat vetëm një sportist me entuziazëm dhe shumë përpikshmëri mund ti përjetojë. Momenti gjatë intonimit të himnit kombëtar dhe qëndrimi para flamurit, shqiponjës dy krenare ishte një përjetim ku kisha dashur ta përjetojë çdo sportist shqiptar. Zërat e çunave krah për krahu dhe me krenari brohoritnin fjalët e himnit të bënin njeriun më të lumtur dhe më krenar në botë.
KOHA: Cila është gjendja aktuale e Kombëtares. Ka shumë punë për tu bërë për të kompozuar një skuadër e cila do tu rezistojë me sukses përfaqësuesve tjera?
ISMAILI: Kombëtarja shqiptare është në hapat e para të ndërtimit ku na pret shumë punë e palodhshme derisa ta formojmë skeletin dhe në kontinuitet ta ngremë cilësinë e lojtarëve, të marrin pjesë në lojëra miqësore, kontrolluese dhe këta lojtar të luajnë në kampionate të hendbollit në shtetet ku hendbolli është më i zhvilluar. Për atë ne kemi hapur konkurs në mbarë botën ku gjenden shqiptarët dhe luajnë hendbollin për të aplikuar në Kombëtaren e Shqipërisë. Kuptohet që ky vit për ne ka qenë vetëm se një pjesëmarrje për të parë se ku i kemi dhe ku gjendemi në krahasim me vendet tjera. Shpresojmë që pas dy viteve ku do të mbahet ky kampionat herën e tretë do të jemi më të përgatitur si skuadër me lojtar edhe më cilësor.
KOHA: A mendon të inkuadrosh edhe lojtar shqiptar nga Maqedonia ose ndonjë shtet tjetër?
ISMAILI: Federata e Hendbollit Shqiptar do të ecë hapave të Federatës të Futbollit Shqiptar. Pra, do të marrim lojtar jo vetëm nga trojet shqiptare po do të ketë lojtar edhe nga diaspora.
KOHA: Një kohë të gjatë jeni trajneri KH Rinia nga Shkupi. Kur u formua ky klub dhe si erdhi deri te kjo iniciativë?
ISMAILI: KH Rinia është vazhdimësi e KH ‘Liria’ (1977-1987) ku e riaktivizuam në vitin 1993 domethënë pas shtatë viteve. Unë si vetë lojtar i KH ‘Liria’ mora iniciativën së bashku me ish kapitenin Ajdin Ramadani dhe arsimtaren e sportit Semie Islami në vitin 1993 në shkollën fillore ‘Dame Gruev’ (tani 7 Marsi) vendosem që ta hapim shkollën e hendbollit dhe njëkohësisht ta themelojmë klubin ‘Rinia’. Tani ky klub në kampionatin e Maqedonisë plot 20 vite prezanton hendboll cilësor dhe me shumë sukses çdo vit pretendon për tu plasuar në Superligë sidomos në sezonin e kaluar ku nuk ju mundësua të luaj balotazh me ekipin e Metalurgut, kështu që edhe kjo orvatje dështoj. Shpresojmë që këtë vit të luajmë përsëri në balotazh nëse Federata e Maqedonisë nuk na bën ndonjë kurth.
KOHA: Në historinë e klubit asnjëherë nuk keni qenë pjesë e Superligës edhe pse realisht keni qenë afër që ta bëni këtë. Mund të na tregoni arsyet se pse KH Rinia deri më tani nuk po arrin të bëhet pjesë e elitës duke marr parasysh se ky klub ka pasur lojtar të talentuar dhe vazhdon të ketë?
ISMAILI: Siç përmenda dhe në pyetjen e mëparshme, KH ‘Rinisë’ nuk iu mundësua të luaj për tu kualifikuar në Superligë. Dhe kjo vjen si pasojë që nuk kemi përkrahjen financiare nga askush andaj edhe nuk po mundemi që sa vite ta arrijmë qëllimin.
KOHA: Si keni arritur të përballoni deri më tani anën financiare? Keni pasur apo vazhdoni të keni përkrahje nga sponsor, apo ndihmë nga institucionet ose vetëfinancoheni?
ISMAILI: Jo, ne ende vazhdojmë të vetë financohemi nga un si trajner i klubit dhe vetë lojtarët. Që sa vite jemi i vetmi klub në Maqedoni që luajmë këtë sport vetëm për dashuri dhe pa asnjë interes personal vetëm se vetëm që ta vazhdojmë traditën. Shpresojmë që në ardhmen me sjelljen e ligjit për sport do të na paraqiten sponsorët dhe do të na i lehtësojnë funksionimin e mëtutjeshëm të klubit.
KOHA: Cilat janë planet e klubit këtë sezon?
ISMAILI: Këtë sezon planifikojmë ta freskojmë ekipin me lojtar të rinj sepse shumica e lojtarëve të parë tashmë kanë mbaruar karrierën. Pra do të mundohem ti zëvendësoj me lojtar të rinj të cilët gjithashtu shpresoj që do të munden ti zëvendësojnë lojtarët e mi shumëvjeçar të cilët njëkohësisht kanë bartë barrën më të rëndë gjatë gjithë këtyre viteve për të cilën edhe u jam shumë falënderues.
KOHA: Keni plane që në të ardhmen të krijoni kushte edhe për formimin e gjeneratave tjera?
ISMAILI: Pranë KH ‘Rinia’ ka hendbollistë të rinj të cilët i kemi kyçur në ekipin e parë, ndërsa lojtarët të cilët nuk do të merren më aktivisht në kampionat do të riaktivizohen në shkollën e hendbollit dhe do të merren me zbulimin, kultivimin e gjeneratave të reja. Planifikojmë në çdo shkollë në komunën e Çairit të hapim shkollat e hendbollit në bashkëpunim me arsimtarët e kulturës fizike ku nga ky aktivitet të formojmë edhe kampionatin mes shkollor si tek meshkujt ashtu edhe tek vajzat. Për këtë do të kërkojmë edhe përkrahjen e institucionit komunal. Në këtë projekt si trajner do të jenë ish lojtarët e KH Rinis të cilët vetëm se u pajisën me licencë këtë vit, Basri Latifi, Memet Memeti, Qazim Gashi , Sedat Ramadani, Sabahudin Fetahu, Besnik Idrizi , Driton Zairi, Xhevahir Arifi, Gafur Hasani dhe Berat Sinani.
KOHA: Na tregoni pak për sukseset dhe karrierën tuaj tuja si hendbollist. Kur i bëtë hapat e parë dhe prej nga lindi ideja që të merreni pikërisht me këtë sport?
ISMAILI: Hapat e para i bëra në vitin 1973 kur isha dymbëdhjetë vjeçar pran shkollës ‘Liria’ te arsimtari i kulturës fizike Sefedin Ahmeti . Si i ri kisha veçori, shpejtësi, shkathtësi , qëndrueshmëri për të ushtruar çdo sport, shembull futboll, atletik dhe hendboll. Por, në hendboll e gjeta veten ku me arsimtarin e lartpërmendur dy gjenerata u bën kampion të qytetit të Shkupit dhe Maqedonisë dhe një gjeneratë vendin e dytë. Pas këtyre sukseseve në vitin 1977 themeluam Shoqatën Sportive ‘Liria’ ku pos hendbollit bënin pjesë mundja , boksi , basketbolli dhe shënjestrimi. Pas shumë viteve të pjesëmarrjes së klubit ‘Liria’ ku me shumë sukses merrte pjesë në gara , un si një i ri me gjashtëmbëdhjetë vjet debutova në ekipin e parë dhe nga atëherë nuk u zëvendësova nga askush. Pjesëmarrja jonë në kampionatet për të rinj , asaj kohe Metalurgu edhe Vardari ku me shumë sukses përfaqësonim ekipin tonë dhe ishim të barabartë që janë sot sinonim i hendbollit në Maqedoni Në vitin 1980 pas lojërave të suksesshme u përzgjodha i vetmi shqiptar për reprezentacionin e Maqedonisë për të rinj. Që nga viti 1981-82 marrë pjesë në shumë seminare për trajnerë dhe ushtroj detyrën e trajnerit deri më sot .Kjo punë e palodhshme rezultoi me përzgjedhjen time si seleksionues i Kombëtares së Shqipërisë.
KOHA: Duke marr parasysh se në parket je tjetër person, temperament dhe shumë i zhurmshëm, në jetën e përditshme si je?
ISMAILI: Unë gjatë ndeshjes jam pjesë përbërëse e ekipit të cilin e udhëheq dhe nënkuptohet që së bashku me lojtarët e mi luaj gjatë tërë ndeshjes me ta . Nga natyra jam njeri me temperament , shpirt luftarak dhe triumfues, prandaj shumë rëndë e përjetoj humbjen dhe mu për këtë shkak jam ndër trajnerët më të zëshëm në kampionatin e Maqedonisë, si në ligën e parë po edhe në Superligë. Këtë e vërtetova edhe në kampionatin e vendeve në zhvillim të botës ku federata bullgare më ka shpallur si trajnerin më të pazëvendësuar. Mirëpo, menjëherë pas mbarimit të ndeshjes unë jam krejtësisht njeri tjetër i qetë, i buzëqeshur , i shoqërueshëm dhe shumë i afërt me lojtarët e mi.
KOHA: Kush është në jetën private Muhamed Ismaili?
ISMAILI: Në jetën private Muhamed Ismaili është një baba i tre fëmijëve, i cili me shumë kujdes dhe dashuri kujdesohet për familjen dhe farefisin e gjerë. Gjithashtu jam edhe pothuajse çerek shekulli i angazhuar në organizatën humanitare ‘Kalliri i Mirësisë’ ku kontribuon për ndihmën e popullatës në aspektin humanitar. Pra gjatë gjithë jetës ia kemi kushtuar ngritjes të sportit dhe kontributit humanitar gjegjësisht shoqërisë. Me pak fjalë sportist dhe humanist.
KOHA: Momenti më i mirë dhe më i keq gjatë karrierës suaj qoftë si lojtar apo trajner?
ISMAILI: Momenti më i mirë kuptohet që është përzgjedhja ime si seleksionues i kombëtares, ndërsa më e keqja është viti 1978 kur ekipi im ‘Liria’ humbi nga ekipi i ‘Dibrës’ dhe nuk u plasuam në kategorinë ligën e parë të Maqedonisë , njashtu edhe ndeshja e kualifikimit në kampionatin shtetëror , ndeshja me Vardarin ku na u bë një padrejtësi e madhe nga referët dhe nuk u plasuam në nivel shtetëror të Jugosllavisë.
KOHA: Njihesh me nofkën “Haxhia”. Nga e ke marr këtë emër?
ISMAILI: Nofka ime ‘Haxhia’ është se falë Zotit kam kryer Haxhin në vitin 1990 dhe që atëherë njihem dhe thirrem me këtë nofkë.