Ymer MINXHOZI
Dera hapet dhe në kuadratin e saj duket një djalë i qeshur, i cili me mirësjellje na fton të hyjmë brenda. Kalojmë pragun e shtëpisë së Rexhep Qoses në lagjen “Bregu i Diellit” dhe befas para nesh shfaqet vetë Profesori, me trupin e drejtë, shikimin e butë përmes syzeve me xhama të trashë dhe dorën që zgjatet e që na fton të hyjmë. “Ejani brenda, mirë se erdhët!”, na thotë buzagaz, duke na ftuar të ulemi në dhomën e pritjes. Megjithë moshën që tashmë i ka ikur stinës së emocioneve të forta, ndjehem sinqerisht i emocionuar në këtë takim të parë me akademikun e shquar.
Qëkur mësova nga nipi im, ambasadori Qemal Minxhozi, se të dielën do t’i shkonim për kafe në shtëpi profesor Qoses, bashkë me të dhe djalin tim, Skënder Minxhozin, vizita ime e parë në Kosovë (ja që kështu e sjell jeta, të zbulosh pjesën tjetër të shtetit amë pasi ke shëtitur gjithë botën), merr një përmasë krejt të veçantë dhe speciale. Personalisht kam qenë prej dekadash ndër lexuesit e apasionuar të veprës së Rexhep Qoses. Kam lexuar me interes të jashtëzakonshëm “Pantenoni i rralluar”, “Populli i ndaluar”, “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, “Strategjia e bashkimit kombëtar”, “Çështja shqiptare – historia dhe politika”, “Ligjërime paravajtëse”, “Porosia e madhe” “Fjalori demokratik”, “Shqipëria dhe Kosova, si janë dhe si duhet të jenë”, e plot botime të tjera, duke vlerësuar lart nivelin intelektual e akademik, pasionin e pashuar për çështjet shqiptare, për gjuhën, historinë e kombit tonë, patosin polemik me të cilin mbronte dhe vazhdon të mbrojë idetë e tij. Siç pata kënaqësinë t’ia shpreh edhe në takimin që pata me të, Qosja është për ne shqiptarët një gur kilometrik i rëndësishëm në ndërgjegjen tonë kombëtare. Biseda me Profesor Qosen rrjedh e qetë dhe e shpenguar. I kërkojmë ndjesë që e shqetësuam në një ditë pushimi, por ai reagon menjëherë se miqtë nga Shqipëria ka dëshirë t’i presë e t’i takojë në çdo kohë. Interesohet për çdo gjë që ndodh në Shqipëri (kam kohë pa qëndruar gjatë në Tiranë!), pyet për situatën në vend, politikën, problemet, shoqërinë shqiptare që e njeh në thellësi. Flasim më tej për gjendjen në Kosovë dhe në botën shqiptare, për familjet tona, shkëmbejmë mendime për publicistikën, udhëtimet jashtë vendit. Një dialog mes shqiptarësh që njihen në distancë mes tyre, por që rasti e ka sjellë të takohen për herë të parë fizikisht pas shumë vitesh. Ambasadori Qemal Minxhozi e njeh prej kohësh profesor Qosen. Po ashtu edhe im bir Skënderi ka vizituar shumë vite më parë shtëpinë ku ndodheshim, kur punonte në shërbimin diplomatik, pas luftës së Kosovës.
Natyrshëm biseda me mikpritësin zhvendoset tek librat dhe udhëtimet, këto dy shtylla të përvojës njerëzore. I dhuroj me kënaqësi profesorit dy libra që kam marrë me vete dhe ai ma shkëmben gjestin duke më dhuruar me dedikim romanin e tij shumëplanësh “Bijtë e askujt”. Artikujt dhe intervistat e tij të kohëve të fundit, të botuara në gazetën “Dita” mbi trashëgiminë letraro-artistike, si dhe situatën politike në Shqipëri dhe në Kosovë, mendoj se janë një ndihmesë e madhe për lexuesin shqiptar, sepse prekin në thelb shumë probleme aktuale. Akademiku Qosja është jo vetëm konstatues i saktë i asaj që ndjehet dhe e shohim çdo ditë, por edhe udhërrëfyes për të gjithë ata shqiptarë që venë interesin kombëtar mbi atë personal. Këto intervista të kohëve të fundit (po e përsëris), më duken si guida shpirtërore për shqiptarët atdhedashës.
Rexhep Qose është një enciklopedi e gjallë njerëzore. Mjafton një kafe me të, për të prekur nga afër përmasën e njohjes së thellë që ai ka për botën dhe njerëzit, vizionin e gjerë dhe gjykimin e mprehtë rreth fenomeneve që e interesojnë. Mënyra sesi na e shpjegon situatën në Kosovë, duke u rikthyer pas tek ngjarjet e luftës, më pas të pavarësisë dhe të rindërtimit të Kosovës, dëshmojnë objektivitetin dhe kthjelltësinë që ai e ka shpalosur në dhjetëra libra, artikuj e intervista për të gjitha mediat kryesore të Kosovës, Shqipërisë, rajonit e botës. Pengu i tij i lexueshëm që larg, është ai i intelektualit të shquar që dëshiron ta shohë vendin e kombin e tij gjithnjë e më mirë, gjithnjë e më të begatë e të zhvilluar. Të njëjtën dëshirë të sinqertë dhe të fuqishme ka si për Kosovën, ashtu edhe për Shqipërinë, shtetin amë ku ka kaluar shumë kohë e ku ka njohur kolegë, miq e njerëz të thjeshtë. Qose kujton me nostalgji vizitat e panumërta të Tiranë, njohjet me personalitetet më të larta shqiptare e të huaja, apo edhe ngjarje të tilla si Kongresi i Drejtshkrimit, duke u ndalur tek figurat e mëdha të asaj ngjarjeje me përmasa mbarëkombëtare. “I kemi kushtuar shumë kohë dhe mund atij kongresi, si delegatë dhe si shqiptarë”, thotë ai, duke kujtuar Çabejin, Budën, Kostallarin e të tjerë. Biseda mes nesh zhvendoset më tej sa në një datë në tjetrën, sa në një ngjarje apo kontinent, në tjetrin. Jemi takuar për herë të parë, ndoshta prandaj kemi shumë për të thënë mes nesh. Nuk ka sfond më të mirë sesa ai i gjuhës shqipe dhe i historisë së trazuar që lidhet me të, për të vizituar studion dhe bibliotekën personale të Rexhep Qoses, të cilat patëm kënaqësinë t’i vizitojmë së bashku me akademikun e njohur.
Si frekuentues dhe amator i vjetër i bibliotekave dhe ambienteve të librit e leximit, studioja e Profesor Qoses më krijoi përshtypjen dhe përmasën e drejtë të erudicionit të tij të gjerë. E përgëzova Profesorin për durimin me të cilin kishte bërë bashkë gjithë atë masë impresionuese librash, vëllimesh, botimesh në gjithfarë gjuhësh. Këto pak rreshta nuk thonë gjithçka për takimin e parë me akademik Rexhep Qosen. Sepse jam i bindur se edhe biseda e fragmentarizuar, miqësore e personale, apo edhe batutat e formulat e kortezisë që shkëmbeva me të, dëshmojnë që të gjitha një ndjenjë respekti, që është shumë më e gjerë sesa ky shkrim i shkurtër falënderimi për vizitën që Profesor Qose na akordoi një të diel maji në shtëpinë e tij në Bregun e Diellit në Prishtinë. Një gjest fisnik të cilin mezi pres t’ia kthej sapo ai të vendosë këmbën në Tiranë. (gazeta dita)