Një në pesë nxënës përjeton bullizmin!

Një në pesë nxënës ngacmohen, fyhen apo denigrohen nga bashkëmoshatarët e tyre, por edhe 1 në 8 mësues përdorin terma ekstremiste dhe gjuhën e urrejtjes. Ky është konkluzioni nga studimi i parë i realizuar në Shqipëri i cili e vlerëson bullizmin si fenomenin më shqetësues në ambientet e shkollave. Format më të përhapura janë ato psikologjike dhe verbale. Ky fenomen është shqetësues tek fëmijët, nga klasa e katërt deri në vitin e fundit të gjimnazit, pa dallim gjinie. Studimi është bërë nga Këshilli i Evropës, në 141 shkolla të mesme dhe 9-vjeçare dhe e rendit Shqipërinë në nivele të larta të këtij fenomeni me pasoja të rënda në shëndetin mendor të nxënësve. 26 për qind e nxënësve të klasave private kanë pohuar se janë përfshirë në bullizëm, kundrejt 20 për qind në shkollat publike”. Bullizmi është më shumë i pranishëm në klasat e 5 dhe të 11 dhe vendi ku ndodhin më shumë sjellje të tilla është klasa, kur mungon mësuesja 40 për qind, oborri i shkollës 40 për qind, madje rreth 20 për qind edhe në prani të mësuesve. Gjysma e mësuesve të marrë në studim pohuan se nuk ekziston një politikë specifike kundër bullizmit në shkolla dhe pjesa dërrmuese e tyre mbi 70 për qind e tyre nuk kanë marrë ndonjë trajnim se si të sillen me këtë dukuri. E ndërkohë përballë kësaj situate qëndron problemi se bullizmi i patrajtuar shkakton probleme të mëdha, kur këta fëmijë bëhen adultë dhe pasojat zgjasin për gjithë jetën.