Tetovë, 24 shkurt – Një këmbësor nga Sllatina i moshës 18-vjeçare është lënduar rëndë gjatë një fatkeqësie në komuniakcion që mbrëmë ndodhi në rrugën rajonale Tetovë-Jazhincë në fshatin Sllatinë, informoi të premten zëdhënësi i SPB Tetovë, Marjan Josifovski. Sipas Josifovskit, këmbësori është goditur nga automjeti “Audi” me targa të Tetovës, të cilin pa patentë shofer e ka drejtuar B.S. (28), gjithashtu banor i Sllatinës. “Gjatë fatkeqësisë këmbësori ka marrë lëndime të rënda trupore në kokë dhe krahëror dhe me automjet tjetër është dërguar në Spitalin klinik të Tetovës, prej ku, pas ndihmës së ofruar mjekësore, me automjet mjekësor urgjentisht është dërguar në klinikat e Shkupit. Atje është mbajtur për mjekim të mëtutjeshëm dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetë”, deklaroi Josifovski. Prokurori publik dhe ekipi i SPB Tetovë kryen ekspertizë dhe po konstatohet shkaku i fatkeqësisë, rrethanat në të cilat ka ndodhur përderisa automjeti është marrë përkohësisht për kontrollim dhe përpunim adekuat. Sipas statistikës policore, gjatë vitit të kaluar në rajonin e Pollogut numri i përgjithshëm i fatkeqësive në komunikacion me këmbësorë paraqet 90, me ç’rast shtatë persona kanë vdekur, 22 janë lënduar rëndë, ndërsa 69 më lehtë.