Zejnulla VESELI
Shkup, 2 prill – Bankat edhe përkundër ashpërsimit të kushteve për dhënien e kredive, qytetarët e Maqedonisë gjithnjë e më shumë po futen në kredi të reja, shkruan gazeta KOHA. Të dhënat e fundit të Bankës Popullore të Maqedonisë (BPM) tregojnë se në kuartalin e tretë të vitit 2016, borxhi i total i qytetarëve për kredi është rreth 2 miliard euro, apo çdo familje katër anëtarëshe ka një minus prej 3.800 euro. Futja në borxhe të reja, sipas BPM-së, tanimë 10 vitet e fundit është bërë trend dhe se kjo praktikë e marrjes se kredive të reja nga qytetarët do të vazhdoj edhe gjatë këtij viti. “Pjesa më madhe e këtyre janë kredi të konsumit të gjerë siç janë për gjëra ushqimore apo për të mbuluar minuset e mëparshme në llogaritë transakcionale dhe kartelave kreditore, si dhe kredi për blerjen e aparateve për amvisëri”, thuhet në raportin e BPM-së. Më tej, në raportin e fundit të BPM-së në fund të kuartalit të tretë të vitit 2016, thuhet se qytetarët e Maqedonisë bankave u kanë borxh për kredi banesore 484.7 milionë euro, nga bankomatet përmes kredi kartelave janë futur në borxh 201 milionë euro, ndërsa në llogaritë transakcionale – gjegjësisht një rrogë minus ka arritur shifrën prej 94 milionë euro, si dhe për të blerë vetura të reja janë marrë kredi në vlerë prej 5 milionë euro. “Në tremujorin e fundit të vitit të 2016 vërehet një trend i lehtësimit të kushteve për dhënien e kredive dhe krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2015, kemi rritje e numrit të qytetarëve për të marrë kredi të reja. Shikuar sipas dedikimit, qytetarët më së shumti u kanë borxh bankave për kredi banesore në vlerë prej 484.7 milionë euro, ndërsa vlera e borxhit në kartela kreditore arrin shifrën prej 201 milionë euro. Në llogaritë transkacionale apo minus një rrogë – vlera e përgjithshme e borxhit arrin shifrën prej 94 milionë euro, kurse nuk mungojnë as kreditë për blerje të veturave të reja të cilat kapin vlerën totale prej 5 milionë euro”, thuhet në raportin e fundit të BPM-së. Ndryshe, ai përket interesit vjetor për kredi konsumatore apo banesore, bankat ofrojnë përqindje të ndryshme. Kështu, kamatat për kredi konsumatore jepen me 10 për qind kamatë vjetore, ndërsa kreditë banesore me 7 për qind. Mirëpo, çdo bankë në Maqedoni ofron kredi kamatë vjetore ndryshe. Sa për ilustrim, “Stopanska Banka” për kredi të konsumit në vlerë prej 15.000 deri më 300.000 denarë ofron kamat vjetore fikse prej 6 për qind për 12 muajt e parë, pastaj kamata është e ndryshueshme dhe shkon deri më 10.13 për qind për klientët që marrin rroga përmes kësaj banke apo 11.25 për qind që marrin rrogë përmes bankave tjera. Kredi banesore ofron me kamatë vjetore prej 4.3 për tre vitet e para, 4.6 për qind gjatë dy viteve të ardhshme dhe për vitet e tjera të mbetura kamata vjetore është e ndryshueshme 6.53 për qind. “Banka Komerciale” për kredi të konsumit në vlerë deri më 900.000 denarë më afat kthimi prej 7 viteve e ofron më kamat fikse prej 10.95 për qind. Në anën tjetër, “Tutunska Banka” për vlerë të njëjtë të kredit prej 900.000 denarëve e ofron me kamatë fikse 7.9 për qind. Përveç kamatave, ekzistojnë dhe harxhime plotësuese të cilat vlerën totale të kredisë së marrë e bëjnë edhe më të shtrenjtë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara