Laura PAPRANIKU
Shkup, 6 mars – Klasa të mbetura bosh, kërkesa për shtim paralelesh, por që nuk marrin përgjigje vite të tëra nga njëra anë dhe nga ana tjetër, shkolla të sërngarkuara e që nuk mund t’i sistemojnë të gjithë nxënësit e regjistruar as në paralele me maksimum nxënësish në klasë, shkruan gazeta KOHA. Kjo, në vija të përgjithshme, është tabloja që ka krijuar për vite me radhë problemi i mos hapjes së paraleleve me qëndrim tërë ditor në disa shkolla fillore të Shkupit. Arsyeja, sipas të gjitha gjasave, është te dy- tre vende të reja pune, të cilat nuk është në gjendje t’i sigurojë Ministria e Arsimit dhe Shkencës, për mësimdhënësit që do të ishin angazhuar në këto paralele. Për rrjedhojë, pasojnë një varg problemesh që nisin nga pabarazia e kushteve për mësim dhe përfundojnë me rezultat e dobëta në arsim.
Në kryeqytet nuk mund të gjendet shkollë, e cila nuk ka nevojë të ketë paralele me mësim tërë ditor të nxënësve në shkollë, pasi sikurse vërejnë drejtorët, këtë e kërkojnë prindërit. “Kemi kërkesa të vazhdueshme nga ana e prindërve për paralele me mësim tërëditor, mirëpo nuk kemi pëlqimin e ministrisë për një gjë të tillë”, thotë Talat Sadiku, drejtor i Shkollës Fillore “Liria” në Shkup. Të njëjtin shqetësim ka edhe Merita Koxhaxhiku, drejtoresha e Shkollës Fillore “Imri Elezi”, ku gjithashtu nuk mungojnë kërkesat a e prindërve për këto paralele çdo vit kur në shkollë bëhet regjistrimi i nxënësve. “Nëse Ministria e Arsimit na lejon të formojmë paralele me mësim tërëditor, normal se jemi të gatshëm të hapim edhe kësi paralele. Prindërit e nxënësve që gravitojnë afër shkollës sonë, kërkojnë çdo herë ti regjistrojnë fëmijët këtu, por meqë shkolla jonë nuk posedon paralele tërëditore i regjistrojnë nëpër shkollat tjera”, thotëpër KOHA, drejtoresha Koxhaxhiku. Sipas saj, pjesa dërmues e nxënësve që me rajonalizim i takojnë SHF “Imri Elezi” , mësojnë në shollat fillore “Ismail Qemali”, “7 Marsi” apo “Hasan Prishtina”. Arsyeja e vetme është se në këta të fundit ofrohen paralele tërëditore, ndërsa në “Imri Elelzi” mungojnë. Paralele të këtilla nuk ka as në shkollën fillore “Kongresi i Manastirit”, “Jashar beu”, “Vasil Gllavinov” dhe “Tefejuz”. Rastësisht ose jo në të gjitha këto shkolla nuk ka ngarkesë nxënësish sikurse në tre shkollat tjera ku ka paralele me mësim tërëditor, pra si në “7 Marsi”, “Hasan Prishtina” dhe “Ismail Qemali”. Ngarkesa në numër të madh nxënësish është evidentë sidomos në këtë të fundit, ku këtë vit shkollor numërohen rreth 1400 nxënës.
Drejtoresha e SHF “Imri Elezi” thotë nëse do të formoheshin paralele tërëditore në atë shkollë, do të vinte deri në zvogëlimin dukshëm të numrit të nxënësve në “Ismail Qemali”. Mirëpo, kjo nuk ndodh pasi “për paralelet e mësimit tërëditor, duhet të angazhohen nga dy mësimdhënës për një klasë”, tregon Koxhaxhiku. Mirëpo, kjo pjesë e punëve nuk varet prej nesh, por prej MASH-it, shpjegon më tej ajo. Drejtoresha e SHF “Imri Elezi”thotë se janë bërë vazhdimisht kërkesa në MASH, j gjashtë-shtatë vite me radhë. Mirëpo pa sukses. “E keqja më e madhe është se nuk na është kthehet përgjigje. Jo që nuk kemi përgjigje pozitive, por as përgjigje negative nuk na dërgojnë”. Vetëm jo zyrtarisht, plotëson Koxhaxhiku, na është shpjeguar se nuk lejon hapjen e vendeve të reja të punës Ministria e Financave. Mirëpo, kjo nuk duhet të jetë arsye që MASH të mos gjejë zgjidhje për nevojat që realisht kanë shkollat. Prandaj, do të vazhdojmë të kërkojmë edhe më tej formimin e paraleleve tërë-ditore në shkollën tonë dhe do t’i përsërisim e kërkesat tona në MASH deri sa të realizohen të njëjtat, nënvizon drejtoresha.
Prej vitit shkollor 2008/2009, nga SHF “Imri Elezi” janë dërguar çdo vit kërkesa për lejimin e paraleleve me mësim tërë ditor. Mirëpo, deri tani nuk është marrë një përgjigje pozitive. Madje, vitin e shkuar mesi u arrit ët sigurohet mësuese për një paralele të rëndomtë dhe pas disa viteve përpjekje u arrit që të formohet plus një paralele e re dhe me këtë tu jepet fund klasave me 42 dhe 47 nxënës.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.