Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani dënoi të premten dhunën e ushtruar në Parlamentin e Maqedonisë ndaj përfaqësuesve të zgjedhur, ndërsa bëri thirrje për qetësi e maturi politike. Në një deklaratë për shtyp te Presidencës shqiptare, transmeton ATSH thuhet se Nishani ka ndjekur me shumë shqetësim dhunën e ushtruar mbrëmë në Parlamentin e Maqedonisë, menjëherë pas zgjedhjes së Kryetarit të ri të Parlamentit me origjinë shqiptare, Talat Xhaferi, dhe shpreh keqardhjen për daljen nga kontrolli të kësaj situate nga forcat e sigurisë së Maqedonisë.
Presidenti Nishani dënon dhunën e ushtruar ndaj deputetëve të Maqedonisë, veçanërisht të atyre me origjinë shqiptare, dhe duke u uruar shërim sa më të shpejtë të lënduarve bën thirrje për qetësimin e situatës dhe kapërcimin e saj me maturi politike. Kreu i Shtetit shqiptar përshëndet zgjedhjen e Talat Xhaferi në postin e Kryetarit të Parlamentit dhe e konsideron këtë akt si një zhvillim shumë pozitiv për marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni që duhet mbështetur gjerësisht.
Presidenti Nishani vlerëson se tentativat për të inkurajuar dhunën e keqpërdorur duhen dënuar me forcë pasi nuk rrezikojnë vetëm stabilitetin dhe të ardhmen euroatlantike të Maqedonisë, por dhe marrëdhëniet ndërshtetërore dhe stabilitetin e rajonit të Ballkanit në përgjithësi. Zbatimi i plotë dhe i shpejtë i Marrëveshjes së Ohrit, në të gjitha elementët e saj, do të ishte garancia më e mirë për harmoninë dhe bashkëjetesën ndëretnike në Maqedoni, përfundon deklarata e Kreut të Shtetit.