Kryeministri i Shipërisë, Edi Rama dhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilluan sot paradite nje takim 3 orësh në Presidencë, në përpjekje për gjetjen e një zgjidhje të krizës politike ne vend, informojnë mediat shqiptare. Kjo tryeze bisedimesh u inicua nga kreu i shtetit Bujar Nishani, i cili ishte dhe ndërmjetës në këtë dialog.
Në një njoftim të shkurtër për shtyp në faqen zyrtare të presidencës, thuhet gjatë takimit palët prezantuan pikëpamjet e tyre mbi krizën politike dhe rrugët e zgjidhjes së saj, duke theksuar se Nishani vijon të mbajë kontaktet me palët për gjetjen e një zgjidhjeje të mundshme mbi bazë kompromisi. Mediat duke iu referuar burimeve pranë njoftojnë se nuk është arritur ende një marrëveshje për futjen e opozitës në zgjedhje. Në takim, sipas të njëjtave burime, është diskutuar mbi platformën e paraqitur nga negociatorët e BE javën e kaluar ne Tirane.
Ndërkohë po sipas këtyre burimeve, kryeministri Rama ka deklaruar se mbështet propozimet e negociatorëve dhe pret miratimin e Bashës për to. Në rast dakordësie nga kreu i opozitës, shefi i maxhorancës është shprehur i gatshëm për një takim tjetër në orët në vazhdim. Sipas ABC, kreu i PD-së, Lulzim Basha në këtë takim është shprehur sërish për qeveri teknike pa Ramën kryeministër. Ndërsa Rama ka kërkuar që PD të votojë Vetingun dhe të marrë garancitë që ofrojnë ndërkombëtarët për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ky ishte takimi i parë i drejtëpërdrejtë, mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, që prej fillimit të protestës së opozitës më 18 shkurt.