Ngrohja globale ka arritur një pikë prej nga nuk ka më kthim prapa, sipas shkencëtarëve që kanë zhvilluar një studim të jashtëzakonshëm për çështjen. Ndikimi i plotë i ngrohjes globale është nënvlerësuar për shkak se shkencëtarët nuk kanë llogaritur një burim të madh të emetimit të dioksidit të karbonit në atmosferë. Raporti i Dr. Thomas Crowther ka ardhur në përfundim që dioksidi i karbonit i emetuar nga toka është shkaktar për përshpejtimin e ngrohjes globale. Këto gjetje, të cilat mes tjerash thonë se temperatura globale do të rritet për 1 gradë celsius deri më 2050, tashmë po konsultohet nga Kombet e Bashkuara. Dr. Crowther, duke folur për gazetën britanike The Independent, i quajti deklaratat e presidentit të ri amerikan Donald Trump si ‘katastrofale për njerëzimin’. “Është e drejtë të thuhet se tashmë kemi tejkaluar pikën e kthimit të ngrohjes globale dhe nuk mund t’i kthejmë krejtësisht mbrapsht efektet, por ende mund të ndikojmë sadopak në përmirësimin e situatës”, thotë eksperti i biodiversitetit. “Ndryshimet klimatike janë në masë të konsiderueshme më të shpejta se që kemi menduar të jenë”. Raporti në fjalë u përpilua duke mbledhur të dhëna nga 49 eksperimente të fushës në 20 vitet e fundit në Amerikën Jugore, Evropë dhe Azi. Gjetja kryesore ishte se pjesa më e madhe e karbonit është në tokë, prej nga edhe ngrohet atmosfera. Dr. Crowther, një doktorant 30 vjeçar i universitetit të Cardiffit, thotë se ndryshimet klimetike do të çojnë në migrim të popullsisë nga e gjithë bota si dhe armiqësi mes popujve