Veprimi i ngrënies së thonjve, të cilin rëndom e quajmë ves, sipas psikiatërve mund të lidhet me një çrregullim obsesiv-kompulsiv që është baras me një sëmundje mendore. Ngrënia e thonjve është një veprim të cilin edhe nëse nuk e kemi bërë vetë, e kemi parë tek shumë njerëz, sidomos në bankat e shkollës dhe në momente të caktuar emocionale ka shoqëruar breza të tërë. Por sot atë që gjithmonë është konsideruar një ves dhe që tek të shumtët e rasteve humbet me kalimin e kohës, psikologët e lidhin me fillesën e një çrregullimi mendor. Sipas ‘American Psychiatric Association’, ky i ashtuquajtur ves mund të futet në radhën e sëmundjeve mendore si një çrregullim i quajtur obsesiv-kompulsiv dhe sipas tyre pikërisht sëmundjet që lidhen me trurin stimulojnë ngrënien e thonjve tek disa persona. Sipas psikiatërve, ngrënia e thonjve, duke arritur në disa raste deri tek mishi i gishtave konsiderohet një ves nga i cili është shumë i vështirë që të shkëputesh, njësoj si vesi i duhanpirjes.