Shkup, 2 shkurt – Ngjarjet e fundit në raport Federata e Futbollit të Maqedonisë-Lidhja e futbollit të Komunës së Tetovës, në mënyrë krejt të pavullnetshme rrezikon të prek edhe KF Shkëndija. Si rezultat i kësaj, kuqezinjtë për të mos rrezikuar të goditen nga pasojat e mëtejshme, kanë dalë me një komunikat për mediat duke u bërë thirrje të gjitha klubeve dhe anëtarëve të LFK Tetovë, që të bashkuar dhe në përputhje me rregullat dhe statutin, të dalin nga kjo situatë. “Pas pezullimit të vendimeve të gjeneruara nga Kuvendi zgjedhor i Lidhjes së Futbollit të Komunës së Tetovës, i vlerësuar si jo legal nga ana e Federatë së Ffutbollit të Maqedonisë, pamundësohet funksionimi i LFK Tetovë dhe me këtë edhe veprimet rreth regjistrimit të futbollistëve dhe format tjera të veprimeve legale në këtë strukturë institucionale. Andaj, KF Shkëndija me strukturat e veta edhe një herë apelon dhe angazhohet që gjithë klubet e futbollit nga rajoni i Tetovës, përmes delegatëve të tyre sa më parë të konsolidohen dhe të organizojnë një Kuvend legal dhe legjitim, për të prodhuar vendime institucionale në përputhje me Statutin dhe gjitha aktet tjera normative. Neglizhimet dhe përçarjet e panevojshme për motive personale në këtë drejtim vetëm se pamundësojnë ‘marrjen e hises’ reale dhe përfaqësimin e drejtë në institucionet qendrore dhe dobësojnë pozitën edhe ashtu të relativizuar të LFK Tetovë”, thuhet në reagimin e KF Shkëndija