Evis HALILI
Shkup, 15 qershor – Kredibiliteti i anëtarëve të komisioneve dhe puna e drejtuesve të institucioneve të kulturës, është një prej proceseve që do t’i paraprijë ndryshimeve brenda Ministrisë së Kulturës, shkruan gazeta KOHA. Nga ky institucion bëjnë me dije se në komisionet që merren me shqyrtimin e projekteve në kulturë do të emërohen emra të spikatur në fushat ku veprojnë, ndërkohë që praktikat e përzgjedhjes preferenciale, për projekte, artistë të caktuar e tjera do të zëvendësohen me konkurrimin e lirë në konkurset e këtij institucioni. Stuhia e ndryshimeve nuk do të lërë pa prekur edhe drejtuesit e institucioneve që janë në varësi të ministrisë. Në fillim të muajit të ardhshëm, atëherë kur edhe pritet që ata të dorëzojnë raportin për punën e realizuar nuk do të kursehen ato kuadro për të cilët do të konstatohen shkelje dhe abuzime me detyrën.
“Gjatë periudhës që vjen do të bëhet verifikohet në detaje puna e stafeve drejtuese të institucioneve nacionale…, dhe në rast se do të konstatohen parregullsi serioze në punën e tyre, me gjasa do të ndryshohet kuadri drejtues. Drejtuesit e rinj do të kenë shumë punë për të bërë revizionin e draft –programit të propozuar, në të cilin do të eliminohen praktikat negative nga e kaluara, që autorë të caktuar, artistë, regjisorë ose veprat artistike të jenë të përjashtuar, të injoruar, apo edhe të zëvendësuar për shkak të interesave të ngushta partiake ose shprehjen e qëndrimit kritik ndaj politikave të qeverisë dhe institucioneve”, thonë për KOHA nga Ministria e Kulturës. Po ashtu, nuk përjashtohet mundësia që për të gjitha ndryshimet ministri të përfshijë edhe ekspertë të fushave të ndryshme, nga sektori publik ose artistë të lirë, të cilët do të japin vërejtjet dhe sugjerimet për projektet vjetore të parashtruara nga ana e institucioneve. Sa i takon komisioneve, ndryshimet e fundit të anëtarëve dhe kryetarëve të tyre u bënë vitin e kaluar, në distancën kohore mes dy konkurseve vjetore, të institucioneve dhe Programit me interes nacional. Në secilin komision ka nga një anëtar shqiptar dhe emërimet në këto trupa punues vazhdimisht kanë provokuar pakënaqësi në opinion për shkak të mospërputhjes së profilit të anëtarit me punën e ngarkuar, por edhe me rezultatet dhe përzgjedhjen e projekteve fituese, financimin, nga komisionet e botimeve, muzikës, dramës, e të tjera.
“Gjatë periudhës në vijim, ministri përmes një procesi participativ, do të formojë komisione me autoritete eminente në sferat e tyre, emrat e të cilëve, ndryshe nga praktika e deritanishme, do të bëhen publike. Këto komisione do të shqyrtojnë draft-programet dhe më pas, në bazën e propozimeve të tyre ministri do të vendosë…Në këtë proces do të përfshihen edhe ekspertë të jashtëm për të dhënë opinionin, sugjerimet për të shtuar apo përmirësuar draft-programet e institucioneve nacionale në mënyrë që ato të reflektojnë përqasjen e re evropiane, të lirë, participuese dhe inkluzive, të asaj kulture për të cilën angazhohemi”, bëjnë me dije nga ky institucion. Këtë javë Ministria e Kulturës shpalli lajmërimin vjetor për prezantimin e projekt-propozimeve për vitin 2018 të institucioneve të kulturës. Në muajin shtator pritet të shpallet edhe Konkursi për Programin vjetor të projekteve të kulturës me interes nacional. Ende nuk ka ndonjë paralajmërim, por të pritshme janë edhe ndryshime në kriteret e konkurrimit, të cilat gjatë tre viteve të fundit u ndryshuan disa herë nga ky institucion.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara