Driton ZENKU
Gostivar, 20 janar – Në vend të pagesës me kesh dhe krijimin e radhëve, kalim nëpër autostradat e vendit të bëhet me kontroll të një ngjitëseje ose e njohur tradicionalisht “Vinjeta”, shkruan gazeta KOHA. Këtë e dëshiron një gostivaras, i cili një kohë të gjatë është duke lëvizur në autostradën Gostivar- Tetovë-Shkup. Iniciatori i këtij peticioni elektronik është Vlladimir Naumovski, i cili në një prononcim për gazetën KOHA tha se pret mbështetje të gjerë popullore për nismën e tij. “Qëllimi është që të hiqen pikëpagesat, përkatësisht të ndryshojë mënyra e pagesës, në kuptimin të mos ketë pikë-pagesa me trarë dhe ndalesë. Mendoj se nëse kjo iniciativë mbaron me sukses dhe hiqen pikat pagesore në autostradë, do të nënkuptonte një liri në lëvizshmëri për popullatën vendase, por gjithsesi që edhe për të huajit të cilët kalojnë nëpër Maqedoni. Me këtë do bëheshim më atraktiv për transit, sepse është vërtetë absurde që dikush që udhëton për në Greqi për pushime verore mbeten edhe mbi një orë në pikë-pagesën në Gjevgjeli ose Negotinë, ndërsa e tërë rruga nga Kumanova e deri në Gjevgjeli zgjatë një orë ose një orë e gjysmë”, shprehet Naumovski.
Ideja i ka ardhur nga përvoja gjatë udhëtimit nëpër Evropë dhe nga dukuria kur vozitësit e Maqedonisë, për t’i ikur rrëmujës që krijohet gjatë pegesës së pikave pagesore, zgjedhin rrugët alternative. “Po ashtu një dukuri që paraqitet kohëve të fundit e që e kam vërejtur unë, është: njerëzit që t’i shmangin pikë-pagesat në autostradë, shpesh i përdorin rrugët alternative. E njëjta gjë ndodh edhe me kamionët dhe me këtë rrugët dytësore bëhen të mbingarkuara. Prandaj, mendojë se me heqjen e pikë-pagesave dhe vendosjen e sistemit të “vinjietës” për pagesë, sigurisht që nuk do të ballafaqoheshim me këtë dukuri. Po ashtu, kjo mënyrë aktuale që kemi është e padrejtë për punëtorët e vendit që punojnë nga një qytet në një qytet tjetër dhe paramendoni se sa kohë harxhojnë ata vetëm nëpër pikë- pagesa”, shprehet ai. Iniciativa është e pastër qytetare, deklaron Naumovski, kurse vendosja e “vinjetave”, sipas tij, nuk do të rrezikojë vendet e punës. Të punësuarit nëpër pikë-pagesat do të vazhdonin punën si kontrollues dhe shitës të “vinjetave”.
“Kjo iniciativë është personale e Vlladimir Naumovskit, pra pas meje nuk qëndron asnjë organizatë dhe kjo iniciativë direkt ka të bëjë me organin i cili është kompetentë për rrugët në Maqedoni dhe aty është vendosur edhe adresa e tyre elektronike. Ideja është që të arrihet te ndonjë numër, të themi prej 10 mijë përkrahës dhe gjithsesi se kjo iniciativë këtu merr fund. Më tej do të duhet institucionet kompetente ose ekspertët të bëjnë analizë mbi atë se si kjo mund të arrihet ose të dalin me qëndrim të paktën ku do të thoshin se kjo ia vlen të implementohet, ose mund edhe të përfundojë si peticion i thjesht, i cili ka pasur përkrahje të madhe nga njerëzit dhe thjeshtë të mos realizohet asgjë. Është shumë e rëndësishme edhe ajo se të gjithë mendojnë se do të mbeten pa punë, por ajo nuk është ashtu, sepse nëse do merrnim shembull nga ndonjë vend tjetër, sikur Bullgaria ose Austria apo Çekia, në parim të gjithë të punësuarit në pikë-pagesa atje, gjejnë punë si kontrollues ose shitës të “vinjetave” ose si instalues të atij sistemi të ri. Iniciativa për shfuqizim, gjegjësisht largim të pikave pagesore në autostradë deri tani ka fituar përkrahjen e mbi dy mijë qytetarëve të vendit. Nëse e njëjta arrin deri në 10 mijë, do të dorëzohet te institucioni përkatës. Nëse konsideroni se ky peticion duhet të marrë mbështetjen, atëherë atë ju mund ta bëni në: [email protected].
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.