Qeveria e Shqipërisë ka miratuar Projektligjin mbi mbrojtjen e pakicave kombëtare, në të cilin theksohet se pakica kombëtare në këtë vend konsiderohen grekët, maqedonasit, vllahët, romët, egjiptianët, malazezët, boshnjakët dhe serbët, shkruan sot “Danas” i Beogradit, transmeton Koha.net. Një ligj të tillë Shqipëria e ka miratuar për herë të parë, ndërsa ishte kusht nga Bashkimi Europian për vazhdimin e negociatave për anëtarësim në këtë organizatë.
“Ky ligj rregullon realizimin e të drejtave të pjesëtarëve të pakicave kombëtare në Shqipëri, në përputhje me dispozitat e Kushtetutës së Shqipërisë, të Konventës Kornizë të Këshillit të WEuropës për mbrojtjen e pakicave kombëtare të ratifikuar më 1999, dhe të marrëveshjeve ndërkombëtare nga fusha e të drejtave njerëzore”, thuhet ndër të tjera në tekstin e Propozimit të ligjit.
Pjesëtarët e pakicave duhet të respektojnë shtetin juridik, tërësinë dhe sovranitetin e Shqipërisë. Me ligj garantohet përfaqësimi dhe kultivimi i kulturës së pakicave kombëtare, etnike, gjuhësore dhe të karakteristikave dhe traditës fetare, si dhe e drejta e identifikimit dhe arsimimit.
Në nenin 3 të ligjit theksohet se pakicat kombëtare formalisht tash janë njohur me ligj me iniciativën e Qeverisë dhe me propozim të ministrit të Punëve të Brendshme, në bazë të kërkesës së përfaqësuesve të pakicave. Sipas regjistrimit të popullsisë në Shqipëri jetojnë 155 serbë, ndërsa jozyrtarisht janë 40 mijë.