Shkup, 3 janar – Në infrastrukturën shëndetësore në rrjedhë është cikli investues në vlerë prej 74,6 milionë eurove, që së bashku me investimin prej 128 milionë eurove për Qendrën e re klinike në Shkup paraqet mbi 202 milionë euro, deklaroi sot ministri i Shëndetësisë, Nikolla Todorov. “Infrastruktura shëndetësore është një ndër aspektet më të rëndësishme për ekzistimin e një sistemi të zhvilluar shëndetësor dhe ky është cikli më i madh investues zbatuar në Republikën e pavarur të Maqedonisë”, tha Todorov. Ai theksoi se pjesa më e madhe e këtyre investimeve duhet të përfundohen gjatë këtij viti, përveç Qendrës së re klinike, ndërtimi i së cilës është paraparë të jetë 45 muaj nga momenti i vendosjes në punë, si dhe investimi në Spitalin e përgjithshëm në Kërçovë dhe Qendrën urgjente në Kumanovë. Todorov paralajmëroi se në rrjedhë është edhe rinovimi dhe adaptimi i objektit të Spitalit të posaçëm për ortopedi dhe traumatologji “Shën Erazmo” në Ohër. Ky është investim në vlerë prej 3,5 milionë euro dhe duhet të përfundohet në gjysmën e dytë të vitit. Deri në fund të vitit duhet të përfundohet ndërtimi i një bunkeri në Spitalin e përgjithshëm të qytetit “8 Shtatori” për instalimin e akceleratorit dhe fillim i repartit onkologjik, që është investim prej 800 mijë eurove. “Në spitalin në Manastir në fazë finale është rikonstruimi i jashtëm i kompletuar në vlerë prej 1,7 milionë eurove. Në rrjedhë është rikonstruimi komplet i hollësishëm i spitalit të Prilepit në vlerë prej mbi një milion eurove, që presim të përfundojë deri nga mesi i marsit të këtij viti. Po zhvillohen edhe aktivitetet ndërtimore për ndërtimin e Qendrës së re urgjente në Kumanovë, investim në vlerë prej 750 mijë eurove, që duhet të përfundojë në fillim të vitit 2018”, tha Todorov. Ai informoi se tenderi për ndërtimin e Qendrës së re klinike në Shkup është shpallur dhe deri më tani mbi 20 kompani të huaja dhe vendore me renome kanë shfaqur interesim dhe kanë ngritur dokumentacionin. “Afati për parashtrimin e ofertave është deri nesër në orën 12, ndërsa hapja është nesër në orën 14, pas çka do të pasojë periudha e evaluimit”, theksoi Todorov.