Shkup, 9 gusht – Një i punësuar në Agjencionin e Zbulimit të Maqedonisë është arrestuar të martën në mbrëmje para stadiumit të Qytetit në Shkup, informon Gazeta KOHA. Ministria për Punë të Brendshme ka njoftuar se i arrestuari është Bllagojçe Ristovski, i cili pasi është kontrolluar nga sigurimi i stadiumit, në shenjë revolte ka filluar të fjaloset dhe shahet me ata. “Fillimisht e ka larguar personin nga i cili është realizuar testim i alkoolit dhe ndërkohë e ka shtyrë anësh sigurimin Xhelat Fazliovski. Kur kanë intervenuar pjesëtarët tjerë të sigurimit, Ristovski ka nxjerrë legjitimacionin zyrtar për t’u legjitimuar se punon në Agjencinë e Zbulimit”, thonë nga MPB-ja. Mes tjerash, nga policia e Shkupit sqarojnë se Bllagojçe Ristovski, përkundër tentimeve të nëpunësve policor që ta qetësojnë, i njëjti ka rezistuar dhe ka refuzuar të kontrollohet. Pas kësaj ngjarje nëpunësit policorë, siç thonë nga MPB-ja, kanë marra masa dhe e kanë arrestuar pjesëtarin e Agjecionit të Zbulimit, me çka e kanë dërguar në stacionin policor në Kisella Vodës. Gjatë nënshtrimit të testimit të alkoolit, ka rezultuar se i arrestuari është nën ndikim e 1.06 promilave të alkoolit. Procedimin e mëtutjeshëm të këtij rasti e ka marrë përsipër Prokuroria Publike, e cila ka dhënë udhëzime që personi i dyshuar të trajtohet se ka kryer veprën penale “pengim të personit zyrtar në kryerjen e obligimeve zyrtare”. Ndryshe, Agjencioni i Zbulimit ku është i punësuar Bllagojçe Ristovski, është nën kompetenca të kryetarit të shtetit. (koha.mk)