Laura PAPRANIKU
Shkup, 30 qershor – Minimumi i 70 pikëve të nevojshme për regjistrimin e nxënësve në Shkollën e mesme të mjekësisë “Pançe Karagjozov” në Shkup, kur është në pyetje pranimi i nxënësve në paralelet me mësim në gjuhën shqipe, rritet për disa pikë më lartë, shkruan gazeta KOHA. Për shkak të fluksit të madh të nxënësve që konkurrojnë këtu, regjistrimi dhe pranimi i nxënësve në gjashtë paralelet e arsimit katërvjeçar do të mbyllet që në paraqitjen e parë të afatit të parë të regjistrimit të nxënësve për vitin shkollor 2017/2018.
Për 204 vendet e ndara për paralelet shqipe të drejtimeve mjekësore në “Pançe Karagjozov”, ende pa mbaruar afati i dorëzimit të dokumenteve kishin konkurruar mbi 300 kandidatë. “Çdo vit ka qenë i lartë interesimi i nxënësve për regjistrim gjatë afatit të parë. Mirëpo, këtë vit jehona e regjistrimit ka tejkaluar pritjet tona. Interesimi ka qenë jashtëzakonisht i madh, sidomos për drejtimin e motrave medicinale”, pohon Sherif Selimi, përgjegjës i paraleleve shqipe në këtë shkollë. Madje, na është dashur të refuzojnë kandidatë me 73 pikë, plotëson më tej ai, duke shtuar se të gjithë nxënësit kandidatë që do pranohen në paralelet e drejtimit motër medicinale janë me mbi 73 pikë.
“Për këto paralele konkurrenca ka qenë shumë e madhe. Për 102 vende të drejtimit motër medicinave, deri në orën 14 të ditës së enjte, i kanë dorëzuar dokumentet mbi 160 nxënës, të gjithë me nota shumë të larta. Sipas të gjitha gjasave, këto tre paralele do të formohen me nxënës që kanë 74 dhe 73.80 pikë. Që të mos mbesin pa u regjistruar edhe në paralelet tjera, ka pasur shumë raste që i kanë tërhequr dokumentet nxënës me 73 pikë dhe janë orientuar në paralelet e drejtimit fizioterapeut ku konkurrenca është më e vogël”, sqaron për KOHA, Selimi.
Por, edhe këtu, për të zënë një vend të sigurt në listën e 34 nxënësve që është caktuar të pranohen në paralelen e këtij drejtimi, duhet që kandidatët të posedojnë minimalisht 70 pikë, pasi është i konsiderueshëm numri i kandidatëve me 73 dhe 72 pikë.
Për ndryshe, në nivel shteti për regjistrimin në paralelet e drejtimeve të mjekësisë kërkohet që nxënësit të kenë 70 pikë minimumi dhe, nga ky prag nuk ka të drejtë të lëvizë asnjë shkollë në dy paraqitjet e para të afatit të parë të regjistrimit, në muajt qershor dhe korrik. Vetëm në ato shkolla ku nuk do të jetë plotësuar numri i vendeve të kërkuara me Konkurs, shkollat mund të drejtohen me kërkesë te Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) dhe të kërkojnë uljen e pikëve. Por, për paralelet shqipe të mjekësisë, sidomos për drejtimet motër medicinave dhe teknik dhëmbësh është e largët ajo kohë.
Për vitin shkollor 2017/2018 në SHM “Pançe Karagjozov”: janë planifikuar të formohen 17 paralele të drejtimeve katërvjeçare, prej të cilave 11 në gjuhën maqedonase dhe 6 në gjuhën shqipe. Përveç tre paraleleve motër medicinale, me mësim në gjuhën shqipe janë planifikuar edhe një paralele e drejtimit teknik dhëmbësh, teknik laboratorik – farmaceutik dhe teknik fizioterapeut. Te paralelet maqedonase, ku zakonisht mbesin shumë vende të lira për afatin e dytë të regjistrimit, në muajin gusht ka edhe nxënës shqiptarë që regjistrohen në to. Sepse, edhe në shkollat e mesme “Cvetan Dimov” dhe “Maria Kiri Skllodovska” (ku gjithashtu lejohen disa drejtime të mjekësisë), numri i vendeve të lira plotësohet nëse jo në qershor, në muajin korrik. Për herë të parë këtë vit në “Pançe Karagjozov” janë ofruar paralele të arsimit të mesëm tre vjeçar, të drejtimit teknik medicinal-kujdestar dedikuar nxënësve me sukses të dobët të notave. Për t’u regjistruar këtu mjaftojnë edhe 30 pikë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.